Ekspertët japin alarmin, temperatura e tokës deri në 60 gradë
Ekspertët japin alarmin, temperatura e tokës deri në 60 gradë

Gazetare: Ajnur Bafqari
Maqedonia e Veriut edhe për 10 ditë do të vazhdojë të jetë në fazën portokalli, ku zhiva e termometrit do të shkojë mbi 40 gradë Celsius.
Temperatura të tilla madje edhe më të larta i kanë përfshirë edhe disa vende të Evropës Juglindore, ndërsa sipas ekspertëve të Agjencisë Evropiane të Hapësirës, temperatura e tokës ka shkuar deri në 60 gradë Celsius.
Agjencia Evropiane e Hapsirës që e vëzhgon temperaturën e sipërfaqes së tokës nga hapësira, paralajmëron intensifikim për ditët në vazhdim. Sipas kësaj Agjencie, këto temperatura të larta, vijnë si pasoj e ndryshimeve klimatike dhe janë pjesë e një realiteti të ri me të cilin duhet të përshtatet bota.
“Kemi regjistruar javën e kaluar temperaturën e sipërfaqes së tokës në 60 gradë Celsius. Kjo nuk është temperatura e ajrit në kuptimin meteorologjik, por ajo tregon temperaturën aktuale të sipërfaqes së tokës, se si do të ndihej në prekje. Dhe ne besojmë se do të intensifikohet”, tha Clement Albergel, Shkencëtar i Aplikimeve Klimatike në Agjencinë Evropiane të Hapësirës.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut, me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, ka marrë vendim për vazhdimin e rekomandimeve për uljen e rrezikut nga temperaturat e larta deri më datë 25 korrik. Sipas këtyre rekomandimeve, mes tjerash parashihet lirim nga puna të kategorive më të prekura si dhe rekomandim që qytetarët të mos ekspozohen në diell nga orë 11 deri në orën 17.
Inspektorati shtetëror I punës, ka intensifikuar kontrollet e jashtëzakonshme, ku brenda katër ditësh janë bërë 272 mbikqyrje, ku janë konstatuar disa shkelje. Gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar vendime për ndalesa për punë për 47 punëdhënës.
“Janë dhënë 47 vendime për ndalesë të punës në atë periudhë prej orës 11 deri në orën 17. Për të gjitha vendimet për ndalesa, është bërë përsëri kontrollë nëse ka aktivitete pune dhe është konstatuar se nuk bëhen…Nëse konstatojmë se punëdhënësi kryen aktivitete, nga ana e inspektoratit mund të ketë kërkesë për procedurë penale, pasi ai punëdhënës me ekspozimin e punëtorëve në kushte të tilla të punës shkakton rrezik për jetën e tyre…”, deklaroi Toni Vojneski, Inspektorati Shtetëror i Punës.
Rekomandimet e Qeverisë përfshijnë lirim nga puna të grave shtatzëna dhe personave të moshës mbi 60 vjeç, angazhimet e të cilëve mund të bëhen përmes punës online, nëse procesi teknik dhe teknologjik e mundëson një gjë të tillë. Nëpër çerdhe të mos praktikohen aktivitete fizike dhe të mos nxiren fëmijët në ambient të hapur në periudhën prej orës 11 deri në 17. Po ashtu në të njëjtën periudhë të mos ketë aktivitete jashtë as nga punonjësit e organeve shtetërore e as të sektorit privat. Qeveria më tej rekomandoi që njësitë për vetëqeverisje lokale dhe qendrat për punë sociale të ofrojnë ndihmë për personat e vetëm, të moshuar, të dobët dhe të pastrehët. /Alsat.mk