Temperaturat e larta kufizojnë lëvizjet e qytetarëve në Gostivar

Temperaturat e larta kufizojnë lëvizjet e qytetarëve në Gostivar

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Temperaturat e larta kanë kufizuar lëvizjet në Gostivar ndërsa shërbimet e ndihmës së parë njoftojnë për rritje të fluksit të atyre që kërkojnë ndihmë mjekësore. Në gjendje gatishmërie është vënë edhe njësia e zjarrfikësve e cila apelon për kujdes me zjarret.

“Me rritjen e temperaturave, nga urgjenca e Gostivarit njoftojnë se është rritur edhe numri i pacientëve që brenda ditës, kërkojnë ndihmë mjekësore, si pasojë e të nxehtit që ka kapluar vendin. Sipas mjekëve, ndihmë më tepër kërkojnë personat e moshuar, që kanë tension dhe probleme me organet e frymëmarrjes por edhe që humbin fuqinë brenda ditës si pasojë e temperaturave të larta”, raporton Bashkim Sulejmani, gazetar.

“Shumë nxehtë shumë katastrofë kjo është, po ikim hijeve kudo gjejmë, e ndonjëherë ikim edhe nga këtu. Tepër nxehtë është. Nuk duhet jo nuk duhet të dilet por kur ke ndonjë hall ndonjë nevojë furnizimi duhet të dalësh dhe ikësh shpejtë”.

“Nxehtë i madh na zuri, mua më ka hyp shtypja më ka sëmur krejt. Po dolëm të furnizohemi te pazari dhe të ikim të shkojmë. Çezma rrugës s`ka, ja vetëm ç’aty ka dhe askund tjetër shkojmë i lajmë sytë ndonjëherë por sërish problem”.

“Ja kështu mbroheni nga i nxehti në ajër të pastër më shumë, ushqime të freskëta marrim më shumë”.

“Ndër hije më tepër rrimë. Na mundon shumë sidomos ata që janë me moshë i mundon më shumë, sidomos që kanë sheqerin shtypjen, andaj më mirë me ndejt në shtëpi”.

Njësia territoriale kundër zjarrit në Gostivar, është vënë në gjendje gatishmërie, ndërsa apelojnë qytetarët për kujdes maksimal me ndezjen e zjarreve, që në këto kohëra të nxehta përhapen shpejtë dhe madje mund të jene edhe fatale.

“Fatmirësisht gjatë ditëve të fundit nuk ka pasur intervenime të shumta nga temperatura e lartë, megjithatë apelojmë gjithë qytetarët që të kenë kujdes me zjarret, madje edhe kur kanë nevojë që të ndezin zjarrin, duhet fikur tërësisht. Ne kemi mjaftueshëm personel dhe numër të zjarrfikësve dhe jemi të përgatitur”, tha Jusuf Bajarmi, shef i NJTKZ Gostivar.

Edhe mjekët në Gostivar i bëjnë thirrje popullatës, në veçanti të sëmurëve kronikë, të moshuarve e grave shtatzëna që të mos dalin në jashtë nga ora 11 deri në ora 17:00 si dhe të konsumojnë sa më shumë dhe ushqime të lehta. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button