Reprezentuesi belg ende i pavendosur për të ardhmen

Çellsi raportohet se po humbet durimin me Romelu Lukakun, i cili nuk është i gatshëm të transferohet në Arabinë Saudite dhe vazhdon të presë për një klub të ri evropian. “La Gazzetta dello Sport” pretendon se Al-Hilal e ka rritur ofertën e tyre për 30-vjeçarin në 50 milionë euro në sezon. Klubi saudit ka propozuar ofertë më të lartë se Juventusi, që ofroi 40 milionë euro.
Kësisoj, Çellsi besohet se po e humb durimin me Lukakun dhe po e shtyn përfaqësuesin e tij që të marrë një vendim për të ardhmen. Belgu refuzoi t’i përgjigjej thirrjeve të Interit javën e kaluar dhe në vend të kësaj hapi bisedimet me Juventusin. Prandaj, “Nerazzurrët” janë tërhequr nga gara për nënshkrimin e tij.
30-vjeçari aktualisht po stërvitet në Kobham dhe nuk i është bashkuar pjesës tjetër të skuadrës së Çellsit në SHBA për turneun e tyre para-sezonal. “Tuttosport” raportoi javën e kaluar se avokati i Lukakut, Sebastien Ledure, do të pranonte ofertën e Al-Hilal, por futbollisti dëshiron të vazhdojë të luajë në Evropë.
Ndërsa, sipas “Il Corriere dello Sport”, Juventusi është i gatshëm të bëjë një ofertë për Lukakun, pavarësisht nga shitja ose jo e Dushan Vlahoviçit. Gazeta me bazë në Romë pretendon se reprezentuesi i Belgjikës tashmë ka rënë dakord për kushtet personale me “Zonjën e Vjetër”.