Kuvend, fillon debati mbi tatimin e solidaritetit

Kuvend, fillon debati mbi tatimin e solidaritetit

Gazetare: Evi Shkopi

Shumica parlamentare refuzoi kërkesën e VMRO-DPMNE për debat publik lidhur me propozim ligjin për tatimin e solidaritetit. Debati për këtë ligji ka nisur sot në Komisionin për Çështje Evropiane në procedurë të shkurtuar apo Yll Evropian. Opozita kërkoi që debati të zhvillohet në Komisionin për Financa dhe Buxhet.

“Komisioni për Çështje Evropiane të deklarohet për kërkesën time që Ligji për Solidaritet me procedurë të shkurtuar dhe me Flamur Evropian të hiqet nga rendi i ditës”, deklaroi Nikolla Miceski- deputet i VMRO-DPMNE-së.

Por edhe për këtë kërkesë votat “pro” nuk mjaftuan. Pas dy përpjekjeve të pasuksesshme të VMRO-së, u votua rendi i ditës dhe më pas nisi diskutimi për amendamentet e propozuara. Amendamenti i parë nuk u pranua nga ministri Fatmir Besimi dhe kjo bëri që deputeti i VMRO-së, Zllatko Penkov të kërkojë fjalën për të treguar mangësitë që ka Ligji për taksën e Solidaritetit. Mangësia më e madhe sipas tij, është që nuk dihet se ku do të ri destinohen ato para që do të merren nga kompanitë.

“Oda Ekonomike është plotësisht kundër dhe do të shfrytëzojë të gjitha mundësitë që ka në dispozicion. Të gjithë e dimë se ato kompani janë pagues të rregullt të tatimeve dhe mbushin buxhetin, megjithatë as ato dhe as ne nuk e kemi të qartë se ku do të shkojnë këto para që do të duhet edhe njëherë prej fillimi si ngarkesë tatimore do t’i obligojë ato kompani. Gjithashtu do të ngremë iniciativë para Gjykatës Kushtetuese për anulimin e Ligjit për taksën e solidaritetit”, tha Zllatko Penkov- deputet i VMRO-DPMNE-së.

Deputetja e LSDM-së, Sanella Shkrijel tha se ligji do të ndikojë mirë në ekonominë e vendit, sepse sipas saj paratë do të merren nga kompanitë që kanë pasur fitime enorme në gjendje krize dhe ato para do tu jepen qytetarëve në kuadër të masave për lehtësim të krizës.

“Qëllimi i këtij ligji nuk është që të dënohen të suksesshmit dhe punëtorët, por është ligj që parashikon ligj me afat të caktuar zbatimi, përsëris, për kompanitë që kanë pasur fitime shtesë. Pra bëhet fjalë për një numër të kufizuar kompanisë që kanë pasur fitime të jashtëzakonshme në kohë krize. Këto kompani kanë shfrytëzuar edhe mjete nga buxheti i shtetit që gjithashtu janë para të qytetarëve”, u shpreh Sanella Shkrijel- deputete e LSDM-së.

Sipas përllogaritjeve zyrtare përmes taksës së solidaritetit parashikohet të arkëtohen rreth 90 milionë euro. Nga të hyrat që kanë deklaruar në DAP për 2022-ën, kësaj takse do t’i detyrohen mbi 200 kompani. Përllogaritja është e thjeshtë, çdo kompani që ka gjeneruar të hyra 30% më shumë se në 3 vitet e kaluara të cilat njëkohësisht kjo përqindje kalon 10 milionë euro do të kushtëzohen të paguajnë taksën solidare. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button