Ishujt Rodos dhe Korfuz në luftë me flakët, evakuohen mijëra turistë dhe banorë lokalë

Ishujt Rodos dhe Korfuz në luftë me flakët, evakuohen mijëra turistë dhe banorë lokalë

Gazetare: Vjollca Ahmedi

Situata në Greqi vijon të mbetet e rëndë, teksa dhjetëra vatra të mëdha zjarresh vijojnë të mbeten aktive duke detyruar mijëra persona të evakuohen. Rodosi, një nga zonat më të rëndësishme turistike, po përballet me situatën apokaliptike me zjarre tashmë të pakontrollueshme nga ekipet e zjarrfikësve, ndërsa autoritetet kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Në këtë zonë janë djegur qindra shtëpi dhe hotele, që kanë detyruar 30 mijë turistë të largohen me shpejtësi. Kryeministri grek Micotakis ka deklaruar se vendin e tij e pret një verë e vështirë me zjarret.

“Ishulli u shkatërrua nga zjarret. Fatkeqësisht për shkak të erërave shumë të forta duhet të menaxhojmë ndezjet e vazhdueshme. Fatmirësisht, me gjithë avancimin e paprecedentë të zjarrit, asnjë jetë nuk humbi. Përballë furisë së natyrës, asnjë masë nuk do të mjaftojë kurrë, veçanërisht këtë verë me valët e pandërprera të të nxehtit intensiv me temperatura më të larta, me një thatësirë më të madhe”, deklaroi Kirijakos Micotakis, Kryeministër i Greqisë.

Më situatë të vështirë po përballet edhe ishullin grek i Korfuzit, ku autoritetet evakuuan rreth 2,500 persona. Për shuarjen e zjarrit po punojnë 62 zjarrfikës me 21 automjete dhe tre grupe të njësive këmbësore, ndërsa nga ajri dy helikopterë dhe dy avionë. Ekuipazhet kanë luftuar me flakët në disa pjesë të Greqisë për rreth një javë, ndërsa ndihma në personel dhe mjete zjarrfikëse përfshirë helikopterë kanë ardhur nga vendet e tjera të botës. Rreth 19,000 turistë, u zhvendosën me autobusë dhe varka gjatë fundjavës nga rruga e zjarrit që arriti në disa zona bregdetare nga malet e afërta. Ndihmë kundër zjarreve ka dërguar Bashkimi Evropian ndërsa avionët turq të zjarrfikësve gjithashtu iu bashkuan përpjekjeve për shuarjen e flakëve. Autoritetet nuk u raportuan për lëndime serioze në asnjë nga evakuimet, por spitalet dhe vullnetarët shëndetësorë dhanë ndihmën e parë për turistët dhe të tjerët, kryesisht për efektet e nxehtësisë dhe dehidrimit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button