Hadergjonaj: Mezi pres të nis sfidën e re te Alaniaspori

Florent Hadërgjonaj është zyrtarisht futbollist i ri i Alaniasporit. Klubi turk e zyrtarizoi transferimin e futbollistit kosovar si lojtar të lirë, pasi atij i kishte skaduar kontrata me Kasimpasha-n.
Mbrojtësi i krahut qëndroi për tri vjet në klubin e Superligës turke, me të cilin i zhvilloi mbi 100 ndeshje, ndërsa tash është gati për aventurën e re, në një tjetër klub elitar turk. Ai e ka bërë një postim në rrjetet sociale, ndërsa e shprehu gëzimin e tij që iu bashkua Allaniaspor-it, ku do ta gjejë bashkëlojtarin e tij te Kombëtarja e Kosovës dhe njëherësh shokun e repartit, qendërmbrojtësin Fidan Aliti.
“Faleminderit për mikpritjen e ngrohtë. I lumtur që iu bashkova Allaniaspor-it. Mezi pres ta nis këtë sfidë të re”, shkroi përfaqësuesi kosovar në rrjetet sociale.
Pas eksperiencave në Zvicër me Jang Bojs-in, në Gjermani me Ingollstadt 04 dhe në Angli me Hudersfilld-in, 29 vjeçari e ka gjetur veten në futbollin turk, ku synon të luajë edhe për një kohë.