Sulmi ndaj ekipit të Alsat nxiti reagime

Sulmi ndaj ekipit të Alsat nxiti reagime

Gazetare: Fatlume Dervishi

Disa nga liderët politik dhe partitë dënuan sulmin ndaj ekipit të gazetarëve të Televizionit Alsat, të ndodhur një ditë më parë, gjatë kohës kur ishin në detyrë. Kreu i Besës Bilall Kasami e konsideroi ai si sulm ndaj fjalës së lirë.

“Sulmi ndaj gazetarëve është sulm ndaj fjalës së lirë! Me shqetësim mësova lajmin se ekipi i gazetarëve të televizionit Alsat – M janë sulmuar nga një person i pa përgjegjshëm, duke e kryer detyrën e tyre si gazetar, madje janë kërcënuar edhe me jetë. Dënoj ashpër aktet e tilla tejet të ulëta që kanë për qëllim të ndalojnë raportimin e gazetarëve dhe të pa mundësojnë informimin e opinionit publik,” deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

Sulmin e dënoi edhe kreu i Aleancës për Shqiptarët. Sipas Tavararit, dënimi i sulmuesit duhet të jetë mësim për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen.

“Ngjarjet e këtilla janë të patolerueshme në shoqëritë demokratike. Fjala e lirë dhe liria e mediave janë të garantuara me Kushtetutë dhe konventa ndërkombëtare, ndërsa kërcënimet dhe sulmet fizike ndaj gazetarëve duhet të sanksionohen nga organet e rendit dhe drejtësisë. Dënimi i këtij akti duhet të paraqesë jo vetëm drejtësi për rastin konkret, por edhe mesazh për të gjithë që në të ardhmen askush, as të mos mendojë të ngrejë dorë mbi gazetarët ose të cenojë punën e tyre,” u shpreh Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Lëvizja Demokratika e Izet Mexhitit e quajti sulmin ngjarje të shëmtuar.

“Sulmi ndaj gazetarëve dhe kameramanit të Televizionit Alsat në Çarshinë e Shkupit është një ngjarje shumë e shëmtuar, të cilën, Lëvizja Demokratike e dënon fuqimisht. Është e papranueshme që individë të frustruar t’i sulmojnë gazetarët, aq më tepër në një vend, siç është Çarshia e Shkupit, ku ka lëvizje të njerëzve dhe sidomos të turistëve të huaj. Puna e gazetarëve është në shërbim të informimit të opinionit, kurse Çarshia e është trashëgimi e veçantë e kulturës sonë, imazhin e të cilës askush nuk ka të drejtë ta cenojë,” thanë nga Lëvizja Demokratike.

Sulmin e kanë dënuar edhe shoqata të gazetarëve dhe mediave, nëpunës mediatik, aktivistë dhe shoqata të tjera për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe demokracisë. /alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button