Çka thanë politikanët në Ditën e Pavarësisë?

Çka thanë politikanët në Ditën e Pavarësisë?

Gazetare: Ajnur Bafqari

Qytetarët më 8 shtator 1991 votuan për një Maqedoni të rregullt dhe të begatë, të cilën akoma nuk e kemi.

Kështu deklaroi numri një i shtetit, Stevo Pendarovski, në mesazhin e tij për ditën e pavarësisë, duke nënvizuar se këto nuk janë porosi të zakonshme për festa, por janë të domosdoshme, shkruan Alsat.

Ai porositi që të ketë institucione funksionale, ligjet të vlejnë për të gjithë njësoj dhe të bëhen reforma shoqërore prej të cilave do të përfitojnë qytetarët dhe jo vetëm personat e privilegjuar.

“Ndër vite kemi shënuar suksese dhe dështime, disa prej tyre kanë ndodhur pikërisht në ditën e pavarësisë. Sukseset na gëzojnë, por për fat të keq, shembujt e keqpërdorimeve dhe dështimeve sistematike e kanë prishur besimin në institucione dhe e kanë zhvlerësuar vetë shtetin. Ndërsa çmimin e paguajnë ata që më së paku kanë kontribuar për gjendjet e tilla; nxënësit në arsim, të sëmurët në shëndetësi, të varfrit dhe të rinjtë”, tha presidenti, Stevo Pendarovski

Kryeministri Kovaçevski tha se këtë festë e presim si shtet i përparuar dhe me perspektiva reale për anëtarësim në BE.

“8 shtatorin e sotëm, ditën e pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, e presim me një shtet të përparuar, anëtare e Natos dhe shtet me perspektiva reale për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030”, u shpreh kryeministri Kovaçevski.

Kreu i VMRO-së Hristijan Mickoski, tha se kjo ditë është edhe festë për shpresë dhe luftë për Maqedoninë, ndërsa nënvizoi se obligimi i partisë që drejton ai është që së bashku me popullin të bëjnë rivendosjen dhe ngritjen e shtetit nga, siç tha ai, kjo apati dhe errësirë.

“Ato gjenerata ëndërronin për përparim dhe vend krenar që në mënyrë dinjitoze do të jetë anëtare e barabartë në familjen evropiane. Por ajo ëndërr ndër vite zbehej, që veçanërisht sot, e njëjta gjeneratë t’i jetojë vitet më të errëta që nga pavarësia, vitet e krimit, korrupsionit gjithnjë e më shumë prezent, të një pushteti për të cilin më me rëndësi është biznesi personal se sa jeta e qytetarit të thjeshtë”, theksoi Mickoski.

Për festën e 8 shtatorit në mbarë vendin u mbajtën aktivitete të shumta. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button