Gruevski nuk tërhiqet, Mickoski më i përmbajtur

Gruevski nuk tërhiqet, Mickoski më i përmbajtur

Gazetar: Lume Dervishi

Pas zënkës së një dite më parë, kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski tani është më i përmbajtur në komentet e tij për ish kryeministrin Nikolla Gruevski. Ai beson se marrëveshjet mes Gruevskit dhe pushtetit ekzistojnë dhe se qytetarët duhet të dinë të bëjnë dallimin. Mickoski thotë se uniteti i partisë së tij mund të dëshmohet në zgjedhje të parakohshme.

“VMRO-DPMNE-ja dhe Maqedonia në këtë moment kanë opsion; ose të zgjedhin boshtin BDI-LSDM-struktura të mëhershme të VMRO-DPMNE-së dhe takimet e tyre të fshehta e të vazhdojmë të fundosemi në krim, korrupsion dhe humbje nacionale, ose të zgjedhë reforma dhe perspektivë të vërtetë. Ata 44 që janë në Kuvend besojnë në atë që bëjnë dhe nuk e bëjnë këtë sepse dikush i detyron me forcë dhe tani do të vika dikush nga LSDM dhe BDI, do të derdhka një mal me para dhe ata do të ndryshojnë mendje. Kjo nuk do të ndodhë,” deklaroi Hristijan Mickoski, VMRO-DPMNE.

Gruevski nga ana tjetër, nuk tërhiqet. Ai sot u bëri thirrje anëtarësisë së partisë të mendojnë me kokën e tyre dhe jo me urdhër të Mickoskit.

“U them anëtarëve të partisë, aktivistëve dhe të gjithëve në krye që të mos u nënshtrohen strategjive të tilla katastrofike, të mendojnë vetë, të kërkojnë prova të forta kur i bëjnë të dënojnë dikë pa parë asgjë me sy, që një ditë të mos jenë në një situatë të kërkojnë falje dhe të justifikojnë veten, pasi t’i kenë gënjyer, pasi t’i kenë besuar verbërisht dikujt, se tani ndjejnë faj, se nuk i kanë ditur mirë gjërat apo diçka e tillë. Kjo është padyshim një lojë e madhe në të cilën ata duan t’ju tërheqin të gjithëve. Mos thoni më pas: Përse nuk na tregove?” – tha Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE.

LSDM-ja kërkon nga Mickoski të mos e përziej në punët e brendshme të partisë dhe të mos e fajësojë për përçarjen.

“Përpjekjet për të krijuar konfuzion në opinion dhe nevoja e dëshpëruar për ta përzier edhe LSDM-në në përçarjet dhe zënkat e brendshme të VMRO-DPMNE-së, Mickoskit nuk do t’i kalojnë. Qytetarët këtë e dinë. Mickoski i dëshpëruar aspak të mos e përziej LSDM-në në zënkat ndërmjet tyre, dhe le t’i zgjidhë vetë ato,” deklaroi Bogdanka Kuzeska, LSDM.

Mickoski por edhe opozita shqiptare, beson se ka një marrëveshje të fshehtë mes pushtetit dhe Gruevskit që ky i fundit të ushtrojë ndikimin e tij, të përçajë grupin parlamentar të VMRO-së dhe të sigurojë shumicë prej 80 votash për ndryshimet kushtetuese, në këmbim të amnistisë për veprat penale për të cilat ndiqet penalisht ose veçmë është dënuar. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button