Kuvendi procedon rregulloren e re
Kuvendi procedon rregulloren e re

Gazetare: Fatlume Dervishi
Kuvendi do të bëhet me Rregullore të re, pasi propozim-teksti që ka hyrë në procedurë parlamentare pritet të marrë mbështetjen e shumë prej deputetëve, meqë është përpiluar me konsensus mes pushtetit dhe opozitës. Teksti i Rregullores së re definon procedura më të kufizuara për procedimin dhe miratimin e ligjeve, kufizimin e debatit në komisione dhe debatit rreth amendamenteve për të parandaluar të ashtuquajturin filibustering, caktimi i afateve për të vendosur menjëherë në seancën e radhës si pikë të parë nismat për interpelanca ndaj funksionarëve dhe të zgjedhurve si dhe më shumë përparësi për opozitën në seancën për pyetjet e deputetëve. Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi, është propozuesi zyrtar.
“Miratimi dhe zbatimi i Rregullave të kësaj Rregulloreje të vendosen në funksion nga përbërja e ardhshme parlamentare që të startohet me rregulla të reja gjithë mandati që do të dalë nga zgjedhjet e vitit 2024, kurdo qofshin ato. Në parlament ka potencial dhe kapacitet të duhur që njerëzit përskaj të gjitha dallimeve në debatet që i kemi bërë, që të jemi njëzëri për një çështje kaq madhore”, deklaroi Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.
Rregullorja kufizon zgjatjen e seancës konstituive në e shumta tri ditë, për të shmangur atë që ishte rast në vitin 2017 kur seanca zgjati më shumë se katër muaj.
Në dialog për Rregulloren e re nuk ka marrë pjesë vetëm E Majta. Partia e Dimitar Apasievit ka kundërshtime për dygjuhësinë që parashihet me Rregullore si dhe për çështje të tjera.
“Ndërkombëtarët u gënjejnë të dy palëve se do të vini në pushtet në zgjedhjet e ardhshme dhe me aminin e tyre ju doni të miratoni Rregullore djallëzore për opozitën, të gjithë duke menduar se do të jeni në pushtet, edhe LSDM-ja, edhe VMRO-DPMNE-ja, edhe BDI-ja në zgjedhjet e ardhshme. Kjo Rregullore është më voluminoze se ajo aktualja sikur të doni të na bindni se njeriu që i ka 100 kg, është dyfish më shumë njeri se ai 50km. Thelbi është që e shndërrojmë Kuvendin në organ burokratik”, u shpreh Dimitar Apasiev, E Majta.
VMRO-DPMNE-ja vlerëson se Rregullorja e re që propozohet nuk është e përkryer por është ndërtuar me pajtim nga të gjitha palët. Disa nga deputetët kërkuan të rishikohen disa nga çështjet.
“Lus të rishikohet dispozita për njërin nga funksionet e nënkryetarit. Më tej, të shikohet a kemi sekretare të përgjithshme, megjithatë është e nevojshme të përfshimë dispozita edhe për nënkryetarët, gjegjësisht edhe aty të respektohet pjesëmarrja e gjinisë më pak të përfaqësuar. Kemi amendamente të cilat ju lus t’i inkorporojmë. Edhe njëri nga zëvendësit e sekretarit të përgjithshëm të jenë të gjinisë më pak të përfaqësuar”, tha Gordana Siljanovska, VMRO-DPMNE.
Propozim rregullorja e re është rezultat i procesit të njohur si Zhan Mone, i cili ka zgjatur pesë vjet dhe filloi me ndërmjetësimin e eurodeputetëve për një Kuvend më funksional. /Alsat.mk