Eduard Xhozef për Alsat: Beogradi, synime armiqësore ndaj Kosovës

Eduard Xhozef për Alsat: Beogradi, synime armiqësore ndaj Kosovës

Eksperti amerikan dhe njohës i zhvillimeve në Ballkan, Eduard Xhozef në një intervistë për Alsat vlerëson se deri në vitin 2030 mund të arrihet qëllimi i zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Duke folur për raportet Kosovë- Serbi, Xhozef theksoi se tani është koha që SHBA-ja dhe BE-ja të ofrojnë marrëveshje “merre ose lëre”. Sipas ekspertit amerikan deri tani kritikat ishin në adresë të Prishtinës, por pas zhvillimeve në Banjskë është koha që të gjithë të zgjohen pasi Beogradi ka synime armiqësore ndaj Kosovës.

Nga Brukseli arriti porosia se duan ta përshpejtojnë procesin e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, për gjashtë vendet, përfshirë Maqedoninë. A mendoni se viti 2030 është objektiv real?

Xhozef: Teorikisht, mund të jetë. Do t’ju them se unë kam qenë së fundmi në Budvë, në një konferencë me Mirosllav Lajçak, ish-presidentin Pahor, ai ishte edhe përfaqësuesi special i Rumanisë për Ballkanin dhe ajo që ata personalisht e thanë dhe e përsëritën është se lufta në Ukrainë, përkatësisht invazioni i paprovokuar rus ndaj Ukrainës ndryshoi vërtet opinionin në Evropë. Përfshirë edhe Francën, vendi që bëri gabim të madh duke bllokuar këtë vend në vitin 2019, pas Traktatit të Prespës. Kështu që, zyrtarët e BE-së vërtetë besojnë se ka një mirëkuptim të ri në Evropë dhe Bruksel, si dhe kryeqytete si Parisi dhe të tjera, në lidhje me zgjerimin. Ata e kuptuan se kjo është vendimtare për Evropën, përballë kërcënimit të Putinit. Ekziston rreziku që ata të fokusohen vetëm te Moldavia dhe Ukraina dhe ta lënë pas dore Ballkanin, sepse mund të thonë “shikoni, ju keni shumë çështje të pazgjidhura, me Bullgarinë, mes Kosovës dhe Serbisë, shikoni Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën” dhe mund të gjejnë lehtësisht justifikim, i cili është shumë i rëndësishëm. Nuk mund të them me siguri se kjo do të ndodhë në vitin 2030, por duhet të them se besoj se ka qasje të re serioze ndaj zgjerimit të Bashkimit Evropian, e cila nuk ekzistonte para pushtimit të Ukrainës nga Putini.

I përmendët edhe sfidat dypalëshe që kanë vendet e rajonit. Ndër to është edhe ajo mes Kosovës dhe Serbisë. Në Shkup keni ardhur nga Prishtina, si e vlerësoni situatën politike dhe të sigurisë atje?

Xhozef: Shikoni, kemi prova që të gjithë duhet të zgjohen pas asaj që ndodhi në Banjskë më 24 shtator. Pra, unë vij këtu nga Kosova dhe isha në Banjskë. E vizitova Manastirin dhe fola me serbët në veri. Jam takuar edhe me zyrtarë në Prishtinë dhe të gjithë duhet të zgjohen, përfshirë edhe këtu në këtë shtet. Kjo ishte ngjarje vërtet serioze për të gjithë rajonin me këtë sasi të madhe municionesh. Atje hynë të paktën 30-40 serbë të armatosur rëndë me automjete të ndryshme, duke përfshirë edhe automjete ushtarake, dhe kjo duhet të ketë ndodhur me mbështetjen shtetërore nga Serbia. Nëse do të arrinin të organizoheshin, imagjinoni sa njerëz mund të ishin vrarë. Madje edhe ushtarët e KFOR-it, ushtarët amerikanë do të ishin vrarë ose thirrur të qëndronin në mes. Kjo është ngjarje shumë e rëndë dhe e dini çfarë mund të kishte ndodhur, edhe në këtë rast me një polic shqiptar. Kjo është dëshmi se Beogradi ka synime armiqësore ndaj Kosovës. Kjo është arsyeja pse të gjithë duhet të zgjohen, pavarësisht se si mendojmë. Por kjo nuk do të thotë se Albin Kurti është i lirë, i shkëlqyeshëm dhe nuk ka asnjë përgjegjësi. Edhe ai ka përgjegjësi, por këtë nuk mund ta barazojmë me paraqitjen e 30-40 djemve me pushka, armë, granata, duke vrarë një polic të Kosovës. Çfarë është kjo? Çfarë është kjo? Të gjithë në këtë vend duhet të zgjohen dhe të përballen me realitetin e Serbisë të udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq. Duhet kuptuar se kjo është dëshmi e qëllimeve armiqësore. SHBA-ja duhet, dhe për këtë kam biseduar edhe me Miroslav Lajçakun në Budvë dhe kam shkruar në Twitter ku mund të dëgjoni edhe pyetjen time për të, që SHBA-të dhe BE-ja t’i paraqesin Kosovës dhe Serbisë një marrëveshje që është “merr ose lëre” edhe atë menjëherë. Marrëveshje serioze që do t’i referohet zbatimit të asaj që tashmë është rënë dakord dhe për të ecur përpara dhe për ta zgjidhur përfundimisht këtë.

A mendoni se kjo është e mundur, sepse përpjekjet e mëparshme për shtensionim dhe më pas për normalizim të marrëdhënieve nuk dhanë rezultatet e pritura?

Xhozef: Mendoj se është e mundur, mendoj se po. Por duhet të kujtojmë se tani duhet të ketë presion të fortë nga SHBA dhe BE. Më parë, gjithçka që pamë ishte presion ndaj Kosovës. Kjo është e gjitha që pamë – presion ndaj Kurtit, kritika ndaj Kurtit, dhe asgjë për Vuçiqin, asgjë, vetëm lëvdata për Vuçiqin. Edhe pas 29 majit, kur serbët me kokteje molotovi dhe armë qëlluan në drejtim të KFOR-it, duke plagosur rëndë një ushtar hungarez i cili humbi këmbën dhe mund të ishte vrarë. Edhe pas kësaj i gjithë faji iu drejtua Kurtit dhe në atë moment e lavdëruan Vuçiqin. Pra, nuk ishte çudi që dy javë më vonë, serbët hynë në Kosovë, të paktën kështu besoj unë nga ajo që po dëgjoj, serbët hyjnë dhe rrëmbejnë tre policë të Kosovës. Më pas këtë ngjarje e bëjnë më 24 shtator në Banjskë. Ky ishte gabim dhe SHBA-ja dhe BE-ja duhet të bëhen serioze dhe të ndikojnë për shtensiojnim. Por, po, duhet të ketë përfaqësim adekuat të serbëve të Kosovës në mënyrë që ata të kthehen në institucionet e Kosovës, të zgjedhin kryetarët e tyre, të kenë përfaqësues dhe të pranohen dhe të integrohen në shoqërinë kosovare. Të respektohen si qytetarë të plotë të Kosovës. Kjo është ajo që ne e duam.

Ndër të tjera, edhe përmes themelimit të Asociacionit të komunave?

Xhozef: Sigurisht, ajo është pjesë e gjithë kësaj. Por, shihni, pas 24 shtatorit, politikat nuk mund të jenë më “Kosovë ju bëjeni Asociacionin, e më vonë do të shohim se çfarë do të bëjë Serbia”. E pamë që Vuçiq nuk pranoi as të nënshkruajë marrëveshjet. Ai mund ta bllokojë Kosovën. Ai vendosi veto për Kosovën në Këshillin e Evropës, që është shkelje e plotë e Marrëveshjes, por të kujtojmë se serbët e Kosovës do të kishin përfitime nga Këshilli i Evropës. Ata do të kishin mundësi të hynin në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Kjo do të ishte mirë për serbët e Kosovës. Do të jetë shumë e qartë për të gjithë. Aleksandar Vuçiqit nuk i interesojnë serbët e Kosovës në qëllimet e tij. Ai i ka interesat e Aleksandër Vuçiqit. Ai dëshiron të shfrytëzojë serbët e Kosovës, jo t’i mbrojë ata. Ai është problem i vërtetë këtu dhe prandaj duhet ta përmirësojmë gjendjen e serbëve të Kosovës në mënyrë që ata të jenë qytetarë të plotë brenda Kosovës.

Ju faleminderit.

Intervistoi: Lluka Andreev/Alsat.mk

 

 

 

 

 

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button