OKB-j e shqetësuar se po kryhen krime lufte nga të dyja palët në konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit

OKB-j e shqetësuar se po kryhen krime lufte nga të dyja palët në konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit

Gazetar: Shkelzen Aqifi

Udhëheqësit e BE-së kanë bërë thirrje për “korridore dhe pauza” si një mjet për të dërguar ndihma humanitare shumë të nevojshme në Gaza. Pas më shumë se pesë orësh bisedimesh në një samit në Bruksel, në një deklaratë të përbashkët u kërkua qasje e sigurt dhe e papenguar.

“Këshilli Evropian shpreh shqetësimin e tij më të madh për përkeqësimin e situatës humanitare në Gaza dhe bën thirrje për qasje dhe ndihmë të vazhdueshme, të shpejtë, të sigurt dhe të papenguar humanitare për të arritur tek ata në nevojë përmes të gjitha masave të nevojshme, duke përfshirë korridoret humanitare dhe pauzat për nevoja humanitare”, thuhet në deklaratë.

Organizata e Kombet e Bashkuara tha se ndihet e shqetësuar se po kryhen krime lufte nga të dyja palët në konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit. Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut i përmendi ndëshkimin kolektiv, marrjen e pengjeve dhe zhvendosjen e detyrueshme gjatë luftës që tashmë ka hyrë në ditën e 21-të të saj. Zëdhënësja e Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Ravina Shamdasani tha se i takon një gjykate të pavarur ligjore të thotë nëse janë kryer krime lufte.

Izraeli është duke e bombarduar pareshtur Gazën prej se militantët e Hamasit i thyen pengesat kufitare dhe u futën nga Gaza në qytetet e Izraelit jugor, duke i vrarë 1.400 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer 224 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë.

Në bombardimet hakmarrëse izraelite janë vrarë së paku 7.028 palestinezë në Rripin e Gazës, përfshirë 2.913 fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila udhëhiqet nga Hamasi.

Izraeli e ka rrethuar Gazën dhe e ka ulur furnizimin me ushqim, ujë dhe rrymë, duke e ndaluar plotësisht furnizimin me karburant, për të cilin thotë se po shfrytëzohet nga Hamasi për të prodhuar armë dhe eksplozivë.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të premten një valë të dytë të sanksioneve kundër grupit militant palestinez, Hamas, pas sulmit të grupit kundër Izraelit këtë muaj.

Në listën e sanksioneve janë përfshirë një zyrtar i Hamasit në Iran dhe anëtarë të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit. Sanksionet i godasin edhe asetet e Hamasit dhe kompanive të lidhura me Hamasin që kanë tentuar t’i shmangin sanksionet paraprake, ka thënë Departamenti amerikan i Thesarit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button