Vazhdon situatë e rëndë në Rripin e Gazës
Vazhdon situatë e rëndë në Rripin e Gazës

Gazetare: Xhesika Salahi
Vazhdojnë shtëllungat e tymit mbi rripin verior të Gazës edhe në javën e gjashtë të luftës. Autoritetet thonë se në pjesën jugore të Gazës i gjithë stoku i karburantit ka mbaruar, si dhe në vend ka një përkeqësim të gjendjes mjedisore, ku priten të përhapen sëmundje të të gjitha llojeve. Autoritetet i bëjnë thirrje komunitetit ndërkombëtar të hapë kalimin e Rafahut dhe të lejojë ndihmën humanitare dhe karburantin në Rripin e Gazës. Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Naser Kanani, tha nëpërmjet një deklarate se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë palestinezët “politikisht dhe shpirtërisht” dhe këmbënguli se grupet militante kanë fuqi të mjaftueshme ushtarake për të luftuar Izraelin.
“Ne do të vazhdojmë seriozisht të mbështesim grupet palestineze, si politikisht ashtu edhe shpirtërisht. Fatmirësisht grupet e rezistencës në të gjithë rajonin kanë fuqi të mjaftueshme ushtarake për të rezistuar kundër regjimit sionist dhe e kanë demonstruar këtë pushtet në raste të ndryshme”, tha Naser Kanani, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme iraniane.
Kujtojmë se Irani konsiderohet sponsori kryesor i Hamasit, por sipas SHBA-së nuk ka asnjë të dhënë direkte se Irani është i përfshirë në sulmin e 7 tetorit. Sipas bilancit të deritanishëm, më shumë se 1,200 njerëz në Izrael vdiqën, shumica e tyre në sulmin e Hamasit dhe rreth 240 pengje u morën nga militantët palestinezë. Më shumë se dy të tretat e popullsisë së Gazës prej 2.3 milionë banorësh janë larguar nga shtëpitë e tyre që nga fillimi i luftës. Më shumë se 11,000 palestinezë, dy të tretat e tyre gra dhe të mitur, janë vrarë që nga fillimi i luftës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Rreth 2,700 vetë janë raportuar të humbur.
Nga ana tjetër, Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka njoftuar në platformën X se këtë javë do të udhëtojë për në Izrael, Palestinë, Bahrein, Arabi Saudite, Katar dhe Jordani. Ai ka thënë se ky udhëtim do të bëhet për të diskutuar ndihmat humanitare gjithashtu edhe çështjet politike me liderët rajonalë. “Ne kemi nevojë për një horizont politik që shikon drejt zgjidhjes së dy shteteve. Kjo mund të arrihet vetëm me dialog”, ka thënë ai. /Alsat.mk