Zimbabve shpall gjendje të jashtëzakonshme pas shpërthimit të kolerës

Zimbabve shpall gjendje të jashtëzakonshme pas shpërthimit të kolerës

Zimbabve ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në kryeqytetin, Harare, pas shpërthimit të kolerës.

Përhapja e kolerës deri tani ka lënë të vdekur dhjetëra njerëz teksa ka më shumë se shtatë mijë raste të dyshuara, shkruan BBC.

Të martën, Ministria e shëndetësisë njoftoi se vendi kishte regjistruar 7,398 raste të dyshuara, 50 vdekje të konfirmuara dhe 109 persona tw hospitalizuar.

“Ne kemi shpallur një gjendje të jashtëzakonshme për shkak të kolerës”, citohet të ketë thënë kryebashkiaku Ian Makone, sipas mediave lokale.

Autoritetet kanë bërë të ditur se shpërthimi në të gjithë qytetin ua ka rikthyer në kujtesë një nga shpërthimet më vdekjeprurëse të vitit 2008 ku humbën jetën mbi 4000 njerëz e u infektuan mbi 100 mijë.

Autoritetet tani po kërkojnë ndihmë për të frenuar përhapjen dhe për të siguruar ujë, duke thënë se ndihma që po merret është e pamjaftueshme.

Sipas Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq (IFRC) autoritetet shëndetësore kanë luftuar për të frenuar numrin e lartë të pranimeve pas shpërthimit teksa theksohet edhe mungesa e punonjësve shëndetësorë për të menaxhuar rastet, si dhe mungesa e furnizimeve për të ndaluar transmetimin.

Zimbabve ka qenë duke luftuar me shpërthimin vdekjeprurës të kolerës në muajt e fundit mes mungesës së qasjes në ujë të pastër.

Epiqendra e shpërthimit të fundit është periferi me densitet të lartë të Harare, Kuwadzana, e cila përbën gati gjysmën e rasteve të raportuara, sipas autoriteteve.

Kolera, një infeksion akut diarreik, shkaktohet nga konsumimi i ushqimit ose ujit të kontaminuar me bakterin Vibrio cholerae.

LEXO EDHE:

Back to top button