Édith Piaf me zërin e saj në film nëpërmjet Inteligjencës Artificiale

Édith Piaf me zërin e saj në film nëpërmjet Inteligjencës Artificiale

Një dokumentar i ri mbi jetën e Piafit do ta përdorë Inteligjencën Artificiale për të mundësuar narracionin e filmit nga vetë artistja. A jeni gati për “La vie en Robots”?
Trashëgimia e Édith Piaf u bashkua me “Warner Music Entertainment” dhe me kompaninë e produksionit “Seriously Happy”, për një projekt dokumentar i cili do të rikrijojë zërin e këngëtares nëpërmjet Inteligjencës Artificiale.

Këngëtarja e hiteve franceze “La Vie en Rose”, “La Foule”, “Hymne À L’Amour”, dhe “Non, je ne regrette rien” nuk mundi t’i shpëtojë bujës së Inteligjencës Artificiale, e cila do të ushqehet me qindra imazhe dhe tinguj, për të rikrijuar stilin unik të Piafit dhe “për ta avancuar autenticitetin dhe impaktin emocional të historisë së saj”.

Shpalosja e “projektit inventiv dhe revolucionar duke përdorur IA për të rikrijuar zërin dhe imazhin e saj”, thuhej në deklaratë, vjen 60 vjet pas vdekjes së Piafit. Ikona franceze vdiq më 10 tetor 1963 pas komplikimeve si pasojë e kancerit në mëlçi.

Filmi i emërtuar “Édith”, sipas burimeve të “Warner Music France” ,është në “fazën e fundit të zhvillimit”. Projekti 90-minutësh do të zërë vend fillimisht në vendlindjen e saj në Paris e më pas në New York, dhe do të shfaqë jetën e saj të shkurtër por me ndikim gjatë viteve 1920 dhe 1960. Incizime nga regjistrimet e saj origjinale do të përdoren bashkë me pamje arkivore të Piafit nga performanca televizive, krahas intervistave, shfaqjeve skenike dhe arkivit të saj personal që do të ndihmojë në origjinalitetin e këtij rrëfimi vizual.

“Édith” është i bazuar në një ide origjinale të Julie Veilles, e cila është bashkautore me Gilles Marilac.

”Gjatë realizimit të filmit, pyesnim vazhdimisht veten se a ishte Edith me ne ende, çfarë mesazhesh do të dëshironte ajo të transmetonte te gjeneratat e reja? Historia e saj është histori e një gruaje të fortë e cila ka kaluar çdo sfidë dhe ka thyer çdo normë shoqërore për të përçuar mesazhet e saj. Synimi ynë është që përmes zhvillimeve të reja në animacion dhe teknologji ta sjellim këtë histori për një audience të të gjitha gjeneratave”, citohet të ketë thënë Veille, shkruhet në një deklaratë për media.

Catherine Glavas dhe Christie Laume që menaxhojnë trashëgiminë e saj kanë folur për fuqinë e filmit.

“Ishte një përvojë e veçantë dhe prekëse të mund të dëgjojmë zërin e Édith edhe një herë – teknologjia e ka bërë të ndihet sikur ishim përsëri në dhomë me të. Animacioni është i bukur dhe përmes këtij filmi ne do të jemi në gjendje të tregojmë anën e vërtetë të Édithit – personalitetin e saj të hareshëm, humorin dhe shpirtin e saj të palëkundur”, kanë thënë ato.

E portretizuar nga Marion Cotillard, e cila fitoi “Oscarin” e saj të parë si këngëtare në vitin 2007 në “La Môme” (La Vie en Rose), Piaf nuk është asgjë më pak se një ikonë kulturore në Francë. Megjithatë, zëri i saj nuk do të jetë hera e parë përmes të cilit një artiste e vdekur rikthehet papritur në ekrane.

Dokumentari kontrovers i vitit 2021 “Roadrunner: A Film About Anthony Bourdain” kishte të bënte me kuzhinierin e ndjerë Anthony Bourdain, i cili vdiq në vitin 2018. Regjisori Morgan Neville përdori softuer të trajnuar në zërin e Bourdain për të rikrijuar një e-mail që Bourdain ia kishte dërguar një miku. Ish-gruaja e Bourdain, Ottavia, shkroi: “Sigurisht që nuk isha ajo që tha se Toni do të pranonte diçka të tillë”.

Më pas, në vitin 2022, zëri i Andy Warhol u rikrijua nëpërmjet IA për dokumentarin e “Netflix”, “The Andy Warhol Diaries”. Shënimet e tij në ditar u lexuan nga aktori Bill Irwin, më pas u shndërruan në zërin e Warholit duke përdorur programin softuer “AI Resemble”.

“Édith” vjen gjithashtu dhe pas suksesit të publikimit të fundit të “The Beatles”, “Now And Then”, e cila me pak ndihmë nga AI shënoi këngën e parë të grupit numër një në Mbretërinë e Bashkuar pas 54 vjetësh. Inteligjenca Artificiale ndihmoi në rikrijimin e vokalit të të ndjerit John Lennon nga një kasetë që ai regjistroi në vitin 1978, dy vjet para se të vritej.

IA po përdoret gjithnjë e më shumë për të bërë performanca krejtësisht origjinale nga vokalistët, zërat e të cilëve përdoren për të trajnuar softuerin e IA-së i cili më pas krijon një përsëritje të saktë – dhe vetë artistët shpesh e kundërshtojnë atë. Nick Cave, Lee Fields dhe Brian May nga “Queen” kanë qenë të gjithë të hapur për të kundërshtuar përdorimin e IA-së për të rikrijuar zërat dhe muzikën e tyre.

Cave e përshkroi shkrimin e këngëve përmes IA si “një tallje groteske e asaj që do të thotë të jesh njeri”, ndërsa legjenda e muzikës soul Lee Fields i tha “Euronews Culture” se Inteligjenca Artificiale “do të jetë kundërshtari më i madh i artistëve të ardhshëm”.

Këtë vit “Universal Music Group” u ankua gjithashtu për “përmbajtje të cenuar të krijuar me IA” dhe tërhoqi një këngë nga transmetimi, që paraqiste versione bindëse të Drake dhe Weeknd të krijuara nga IA-ja.

Pra, a jeni gati për “La Vie en Robots”? Asnjë datë e publikimit për “Édith” nuk është caktuar, kështu që ka ende kohë për të hetuar nëse ky lajm po e bën Piafin të rrotullohet në varrin e saj, si një pulë rotiserie dhe duke kënduar një version të ri të këngës së saj, të titulluar: “Je regrette AI”.

LEXO EDHE:

Back to top button