Balkani pëson disfatë, vështirësohet rruga e kualifikimit në raundin tjetër

Ballkani ka pësuar disfatë nga Viktoria Plzen, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e pestë të Grupit C, në Ligën e Konferencës. Kampionët e Kosovës u mposhtën 0:1 nga ekipi çek, në stadiumin “Air Albania” në Tiranë. Portokallezinjtë e drejtuar nga trajneri Ilir Daja kanë bërë paraqitje të mirë, me një numër rastesh, por në fund mos konkretizimi i kushtoi. Viktoria Plzen fitoren e siguroi në minutën e 81-të kur Sulc shënoi, në kohën kur Ballkani tentonte portën kundërshtare.
Ballkani me këtë humbje është i fundit me katër pikë, po aq sa Astana e treta. E para në grup është Plzen me 15 pikë, ndërkohë Dinamo Zagreb zë vendin e dytë me gjashtë pikë.
Kryetrajneri i Ballkanit, Ilir Daja është ankuar në mungesa, në prononcim pas përfundimit të ndeshjes.
“Ka qenë një pjesë e parë e luajtur shumë mirë, kemi pasur probleme me mungesat, por kjo nuk është për të justifikuar humbjen, por aty ku do të mund të kishim freskuar ekipin në fund të pjesës së dytë në i kishim tre lojtarë të lënduar. Në një moment të tillë kur kërkon të freskosh ekipin në ato pozita ku edhe mundesh ta kërkosh fitores nuk ke opsione” – tha Daja.
Por, cila është rruga që dërgon Ballkanin në fazën tjetër të Ligës së Konferencës?
Dy herë kampionët e Kosovës duhet të fitojnë patjetër në “Maksimir” kundër Dinamo Zagrebit dhe të shpresojnë në fitoren e Viktoria Plzen në Çeki kundër Astanas.
Kujtojmë se Ballkani e mposhti 2:0 Dinamo Zagrebin në ndeshjen e parë të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ndeshjet e xhiros së fundit në fazën e grupeve zhvillohen më 14 dhjetor të këtij viti.
Ky është edicioni i dytë me radhë për skuadrën suharekase në fazën e grupeve në Ligën e Konferencës. Në edicionin paraprak, ata nuk arritën të kualifikohen më tutje