Lëvizja BESA: Qytetarët janë të pasigurt, Spasovski dhe Bushi të dorëhiqen
Lëvizja BESA: Qytetarët janë të pasigurt, Spasovski dhe Bushi të dorëhiqen

Lidhur me rastin e vrasjes së 14 vjeçares ka reaguar edhe Lëvizja BESA e cila vlerëson se vrasjet e fundit në vend tregon se qytetarët janë totalisht të pasigurt nga shteti. Ata madje thonë se “ka ardhur koha që sigurinë për vete dhe familjarët e tyre ta marrin vetë në dorë”.
“Familjarët dhe të afërmit, qëndruan në ankth dhe shpresë se ajo do të kthehej e gjallë. Por policia dështoi. Derisa kriminelëve iu deshën vetëm disa sekonda për ta grabitur dhe ta vrasin, policisë i duhej një javë kohë që në fund ta gjejë të vdekur. Po ashtu u gjet edhe një trup i pajetë i 74 vjeçarit nga Velesi, i cili po ashtu dyshohet se është vrarë nga grupi i njëjtë kriminel, i cili në Shkup vepron për një kohë më të gjatë. Kjo e nxjerr në pah të vërtetën se Maqedonia e Veriut është shndërruar në fushë krimi dhe fole të kriminelëve, të cilët zhvasin, grabisin dhe vrasin qytetarët, por pasurojnë pushtetarët. Vetëm në muajt e fundit, kishim disa herë gjuajtje dhe plagosje në vende publike dhe qendra tregtare, droga qarkullon në çdo lokal dhe nëpër shkolla të mesme ndërsa numri i kriminelëve rritet. Por ndëshkimi dhe përgjegjësia për ta nuk ekziston”, thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA, nga ku kërkojnë dorëheqjen e Spasovskit dhe zëvendësit të tij, Nazim Bushi.
“Pas gjithë kësaj nëse ministri Oliver Spasovski, zv/ministri Nazim Bushi, kanë vetëm pak ndërgjegje dhe pak moral atëherë duhet urgjentisht të japin dorëheqje. Në të kundërtën jemi të sigurt se krimi do të rritet, pasiguria e qytetarëve do të jetë edhe më e madhe, ndërsa vendi rrezikon të kalojë në anarki ku çdo qytetar vetë do të kujdeset për sigurinë e tij dhe fëmijëve të tij”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes BESA.