Zyra e thesarit në Gostivar nuk funksionon prej 10 ditësh
Zyra e thesarit në Gostivar nuk funksionon prej 10 ditësh

Gazetar: Bashkim Sulejmani
Zyra e thesarit në Gostivar nuk funksionon prej 10 ditësh. Kjo zyrë kohë më parë kishte probleme me objektin ndërsa tani përballet me probleme teknike. Nga mosfunksioni i kësaj zyre më së shumti pëson Komuna e cila për t’i bërë pagesat detyrohet të shkojë deri në Tetovë. Ministria e Financave si institucion përgjegjës, hesht për problemet.
“Zyra e thesarit këtu në qytetin e Gostivarit, sërish jashtë funksionit. Për dallim nga hera e kaluar kur problem ishte mos pagesa e qirasë, e për pasojë edhe dislokimi i zyrës nga objekti i vjetër, tek ky objekt këtu, tani problemet më të shpeshta janë ato teknike. Mos funksionimi i kompjuterëve, mungesa e internetit dhe bllokimi i sistemit, shkak për të cilin, si komuna po ashtu edhe shkollat fillore dhe të mesme, firma e kompani të ndryshme, detyrohen të shkojnë në Tetovë madje nga dy apo tre herë në ditë, për të bërë pagesat”, raporton Bashkim Sulejmani, gazetar.
Problemet më të mëdha nga mosfunksionimi i zyrës së thesarit në Gostivar i ka Komuna.
“Po për komunën e Gostivarit, nuk është vetëm xhiro llogaria e komunës, por krejt njësitë,, çerdhet, shkollat fillore, të mesme që janë të varura nga trezori dhe nëse kjo nuk funksionon ne duhet të shkojmë deri në Tetovë. Por, edhe atje kemi probleme, komunikacioni, format e pagesës kanë pengesat e veta dhe duhet të kthejmë disa, kurse këtu e kemi pasur më afër. Për pengesa teknike jemi kthyer disa herë dhe kemi bë format e pagesave. Shumë herë kemi kërkuar sqarim nga Ministria Financave dhe na kanë dhënë përgjigje se do rregullohet, se di, ose me lokacionin kanë problem ose me personelin. Madje vetëm një person ka aty s’ka tjetër, dhe kemi kërkuar që të ketë njeri tjetër në rast pushimesh apo diçka por s`ka gjë”, deklaroi Sadri Elezi, Sektori i Financave – komuna e Gostivarit.
Drejtori i gjimnazit të Gostivarit Mirsad Huseini thotë se jo vetëm pengesat që janë të mëdha me mos funksionimin e kësaj zyre, por edhe harxhimet i kanë të mëdha për vajtje ardhjet në Tetovë.
“Probleme gati se kemi përditë. Nga biseda me personin përgjegjës për kontabilitet mora vesh se janë çështje teknike, kompjuter internet diçka, që nuk i ka Tetova. Andaj për një pagesë të vogël, kontabilisti duhet të shkoj deri në Tetovë, dhe normal se harxhime ka madje këto harxhime duhet ti mbulojë shkolla. Disa herë ka shkuar kontabilisti dy here në rast të ndonjë lëshimi të vogël bile edhe për së treti deri në Tetovë”, u shpreh Mirsad Huseini. Drejtor i Gjimnazit të Gostivarit.
Kërkuam sqarim edhe nga Ministria e Financave, por pa përgjigje. Përndryshe, pagesat në zyrën e thesarit në Gostivar, nuk i bën vetëm Gostivari dhe komunat për rreth, por edhe Mavrova e Rostusha, të cilët tani e tutje, këto pagesa duhet të shkojnë deri në Tetovë ti kryejnë. /Alsat.mk