Tensionet në Çashkë, në dëm të nxënësve – Shqyrtohet mundësia për mësim online
Tensionet në Çashkë, në dëm të nxënësve – Shqyrtohet mundësia për mësim online

Gazetare: Melihate Rustemi
Nuk përjashtohet mundësia që të gjithë nxënësit e shkollës fillore “Todor Janev” të komunës Çashkë të kalojnë në mësim online për shkak të gjendjes së krijuar kundër paraleles shqipe tashmë të hapur për klasën e parë, shkruan Alsat.
Këtë e bëri të ditur për Alsat ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri duke shtuar se javën që vjen do diskutohen të gjitha mënyrat ligjore që do të mundësojnë realizimin e procesit mësimor pa ndërprerje.
“Do të diskutoj mënyrat e realizimit më tutje të vitit shkollor. Atje me të vërtet kemi një situatë të jashtëzakonshme për arsye të mosmundësisë dhe paraqitjes për arsye të sulmeve të cilat po u bëhen udhëheqësve, sulmeve ndaj mësimdhënësve, do të shohim edhe mundësinë të mësimit online për të përfunduar këtë gjysmëvjetor realizimin e obligimit ligjor, qoftë për të gjithë fëmijët edhe në gjuhën shqipe dhe gjuhën maqedonase. Ama kur do të jetë ky si mekanizëm atëherë nuk do të shoh justifikimet e komentet e prindërve se kemi mundësi për të mësuar fizikisht ndërsa ministria dëmton fëmijët me mësim online”, tha Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Nga Avokati i Popullit kujtojnë se me vet iniciativë kanë hapur lëndë për këtë rast dhe mbeten në pritje të përgjigjeve nga institucionet përkatëse. Këshilltarja, Vaska Bajramovska Mustafa vlerëson se në këtë rast po shkelen rëndë të drejtat e fëmijëve.
“Ata fëmijë, deri dje mësuan bashkë, lozën bashkë në oborrin e shkollës dhe u shoqëruan bashkë. Sot, për shkak të vendimit të të rriturve që në një mënyrë të tillë të kërkojnë zgjidhje të problemeve janë vënë në një situatë të nisin të ndërtojnë mure mes veti, diçka që nuk është e lejuar. Unë sërish do të alarmoj, përkatësisht do të apeloj të rriturit t’i lejojnë fëmijës pa pengesa të shkoj në shkollë, çdo nxënësi t’i lejojnë që sigurt të shkoj dhe të kthehet nga shkolla. T’i lejoj fëmijës të rritet në person të shëndetshëm pa e ushqyer me vlera të cilat nuk meritojnë t’u jepen atyre si vlera me të cilat duhet të rritet”, u shpreh Vaska Bajramovska Mustafa, këshilltare shtetërore, Avkati i Popullit.
Protesta në Çashkë ka nisur më 23 nëntor për shkak të vendimit të hapjes së paraleles me mësim në gjuhën shqipe për klasën e parë. Sipas këshillit të prindërve paralelja është hapur pa respektuar procedurat ligjore dhe pa miratimin e këshillit të prindërve.
Nga Ministria e Arsimit disa herë kanë përsëritur se paralelja shqipe ka zbatuar të gjitha procedurat e duhura ligjore. Në shkollën fillore të Çashkës, ka mbi 70 nxënës shqiptarë të cilët janë të detyruar të mësojnë maqedonisht nga klasa e parë deri atë të 9, për shkak të mungesës së mësimit në gjuhën amtare./ Alsat.mk