Sheshi i kryeqytetit gati për pritjen e Vitit të Ri

Sheshi i kryeqytetit gati për pritjen e Vitit të Ri

Gazetar: Avni Tahiri

Në sheshin e Shkupit po bëhen përgatitjet e fundit për të pritur Vitin e Ri 2024, në qiell të hapur.
Qytetarët vitin 2023 do ta mbajnë mend për rëndimin e standardit jetësor dhe rritjen e papërballueshme të çmimeve. Nga viti 2024 presin ndalimin e largimit të të rinjve nga vendi, të ulen çmimet e produkteve bazë dhe të rriten pagat.

“Nuk ka më kënaqësi si vitet e tjera, ka skamje, me dy pensione nuk ia dal dot, fëmijët më ikën jashtë shtetit”, tha një qytetar.

“Nuk e dimë çfarë do të sjell viti tjetër por shpresojmë që diçka më të mirë”, u shpreh një qytetare.
“Të ketë më shumë mirëkuptim dhe të mos ketë aq energji negative që e shpërndajnë partitë politike”, theksoi një qytetare tjetër.

“Nga viti i ri pres që të ndodhë gjithçka që nuk ishte në vitin e kaluar”, tha një qytetar.

“Ku do e pritni vitin e ri? Në shtëpi me familjen. A i keni blerë të gjitha gjërat? Po gjithçka.”

Edhe pse qyteti i Shkupit këtë vit është më pak i stolisur se vitet e kaluara përsëri disa vizitorë të huaj kishin vendosur që ndërrimin e viteve të kalojnë në vendin tonë.
“Jemi këtu për pushimet e krishtlindjeve dhe vitin e ri”, u shpreh një turist i huaj.
“Jemi nga Greqia, Selaniku. Jemi këtu për relaksim, për të vizituar vendin, muzetë dhe të gjitha vendet e tjera”, shtoi një tjetër turist.

Ndërsa përveç rritjes së çmimeve të pa përballueshme dhe largimin e të rinjve nga vendi, dhjetorin e vitin 2023 qytetaret do ta kujtojnë edhe për bredhin më të komentuar të vitit. Për stolisjen e kryeqytetit për këtë vit janë shpenzuar 30 mijë euro./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button