Deputetët e LEN bojkotojnë Kuvendin
Deputetët e LEN bojkotojnë Kuvendin

Gazetare: Fatlume Dervishi
Gjashtë deputetët e koalicionit Lidhja Evropiane për Ndryshim nga sot bojkotojnë punën e Kuvendit si shenjë kundërshtimi për vonesat në zgjedhjet e anëtarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhje, i cili thonë se duhet të jetë me propozim të tyre, shkruan Alsat.
Bojkoti vlen deri sa kreu i Kuvendit nuk e vendos në rend dite zgjedhjen e Abdush Demirit, për anëtar të KSHZ-së.
“Ky është vetëm hapi jonë i parë. Ne presim që edhe opozita maqedonase t’i mbetet besnike deklarimit se do ta braktisin KSHZ-në, nëse opozita shqiptare nuk e merr anëtarin e saj në KSHZ. Në të vërtetë mbrojtja e të drejtës tonë për anëtarin e KSHZ-së nuk është vetëm interesi jonë politik por kështu mbrohen fondamentet për zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike. Prandaj për ne kohë do të jetë edhe qeveria teknike nëse KSHZ-ja mbete e pakompletuar, ose raporti i anëtarëve aty mbetet 5 me 2 në favor të pushtetit”, tha Safije Shahini Sadiku, koordinatore e grupit parlamentar të Lidhjes Evropiane për Ndryshim.
Nëse deri në zgjedhjen e qeverisë teknike nuk zgjedhjet dhe anëtari i KSHZ-së, Lidhja Evropiane për Ndryshim paralajmëron masa të tjera, në mesin e të cilave edhe mundësia që të bllokohet mbajtja e zgjedhjeve në Tetovë dhe Çair.
Në kumtimin e vendimit për bojkotimin e Kuvendit të pranishëm ishin edhe liderët e tre partive. Në pyetjen nëse janë të gatshëm për bashkëpunim parazgjedhor me partinë në paralajmërim të kryetares së Qytetit të Shkupit Danella Arsovska, me të cilën ata kanë një bashkëpunim në këshillin e Qytetit të Shkupit, u përgjigj kreu i Alternativës Afrim Gashi.
“Koalicioni ynë qartë është përcaktuar dhe dëshiron të fitojë në bllokun shqiptar në kampin politik shqiptar. Kurse më pas do ta shohim se cili do të fitojë nga kampi maqedonas dhe a do t’i plotësojë kushtet që i kemi thënë edhe para se të hymë në procesin zgjedhor”, u shpreh Afrim Gashi, kretar i Alternativës.
Ndërkohë, kreu i Lëvizjes Demokratike Izet Mexhiti nuk komenton mundësinë për lista të përbashkëta të deputetëve mes LSDM-së dhe BDI-së, por është i bindur në fitoren e opozitës shqiptare.
“Është çështje e tyre. Dalja jonë, unifikimi i opozitës shqiptare me platformë dhe program joshës për qytetarin, ka alternativë për ndryshim. BDI-së dhe të tjerëve ua ka humb busullën politike dhe në mëngjes mendojnë ndryshe, në mbrëmje ndryshe, nuk dinë nga shkojnë”, theksoi Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike.
Lidhja Evropiane për Ndryshim një ditë më parë ftoi përsëri Aleancën për Shqiptarët t’i bashkohet opozitës në një koalicion parazgjedhor. / Alsat.mk