Vdiq në moshën 42-vjeçare ylli i filmit “X-Men”
Vdiq në moshën 42-vjeçare ylli i filmit “X-Men”

Aktori i njohur i Hollywoodit, Adan Canto, ka vdekur në moshën 42-vjeçare, raporton BBC.
Ai ishte i njohur për rolet nëpër projekte filmike si “Designated Survivor” dhe “X-men”.
Publicisti i aktorit bëri të ditur se ai ishte duke vuajtur nga sëmundja e kancerit.
“Përgjithmonë thesari im Adan, shihemi së shpejti”, ka shkruar Stephanie Ann, gruaja e aktorit meksikan që ndau edhe një fragment nga Bibla, pasi postoi një fotografi ku shihet bashkë me bashkëshortin.

Kolegët e Cantos përmes rrjeteve sociale shprehën dhimbjen pasi morën lajmin për vdekjen e tij.
“Nuk i kam fjalët për ta përshkruar dhimbjen… por shoku im i dashur Adan sapo mori krahët e tij. Përgjithmonë, përgjithmonë në zemrën time”, ka shkruar aktorja Halle Berry.

Edhe një tjetër kolege e Cantos ka shkruar se Hollywoodi nuk e meritonte mirësinë e tij.
“Mik i bukur… Ti je niveli i personit që Hollywoodi as që e meritonte. Mirëdashja, ngrohtësia dhe bujaria e përkushtimit të plotë ndaj familjes tënde dhe gjithmonë duke bërë gjënë e duhur. Askush nuk kishte busullën tënde morale dhe as nuk u afruan. Nuk e kuptoj këtë. Kushdo që të njihte ishte me fat. Kjo është e gjitha që di”, ka shkruar Maggie Q.
Shumë e shumë kolegë të tjerë të Cantos kanë shkruar për të.
Në një deklaratë të përbashkët, FOX dhe Warner Bros Television e kanë përshkruar Canton si aktor të mrekullueshëm.
“Së fundmi ai u shfaq në projektin filmik ‘The Cleaning Lady’ që shfaqi talentin e tij. Kjo është humbje e papërshkrueshme dhe ne bashkëndjejmë dhimbjen me gruan e tij, fëmijët dhe të afërmit e tyre. Do të na mungojë shumë Adani”, kanë shkruar transmetuesit.
Adan mori famë në SHBA përmes serisë televizive “The Following” ku luante përkrah aktorit Kevin Bacon në vitin 2013.