Dy ikonat e historisë së muzikës bashkojnë yjet në koncert

Dy ikonat e historisë së muzikës bashkojnë yjet në koncert

Cat Power, David Gray, Dropkick Murphys dhe Glen Hansard janë në mesin e artistëve që pritet të performojnë në koncertin e organizuar për nder të muzikantëve të ndjerë, Sinéad O’Connor dhe Shane MacGowan, i cili do të mbahet më 20 mars në New York City. Amanda Palmer, Bettye LaVette, Gordon Gano, Gogol Bordello’s Eugene Hütz, Julia Cumming, Kat Edmonson dhe të tjerë, po ashtu, janë listuar për të performuar në këtë ngjarje.

Mbrëmja e titulluar “Sinéad & Shane at Carnegie Hall”, përfshinë bashkëpunëtorë dhe miq të artistëve irlandezë, të cilët do të performojnë dhe njëherësh do ta kujtojnë jetën dhe veprën e tyre.

Dy këngëtarët e lindur në Irlandë, por me famë botërore, e incizuan së bashku këngën “Haunted”, në vitin 1995. Vdekja e tyre konsiderohet si një nga momentet e vitit. O’Connor vdiq në korrik të 2023-s në moshën 56-vjeçare, kurse MacGowan vdiq në muajin nëntor në moshën 65-vjeçare.

Pas vdekjes së muzikantit MacGowan, presidenti irlandez, Michael D Higgins, e kujtoi vokalistin e grupit “Pogues” si një nga tekstshkruesit më të mëdhenj në skenën e muzikës. Ndërkaq këngëtari i famshëm australian, Nick Cave, e vlerësoi lart aftësinë e tij si tekstshkrues dhe “shpirtin e tij kaotik e poetik”.

Kantautori irlandez, Hansard, bëri një interpretim emocionues të hitit të Krishtlindjeve të grupit “Pogues” me titull “Fairytale of New York” në funeralin e MacGowanin, në dhjetor. Ai do të performojë përsëri në koncertin e ardhshëm, megjithëse lista e kompletuar e artistëve pjesëmarrës nuk është bërë ende publike. Cave gjithashtu e kishte interpretuar një version të bashkëpunimit të tij me MacGowanin, “A Rainy Night in Soho”, në funeral, por ai nuk e ka konfirmuar nëse do të jetë i pranishëm në koncert.

Të gjitha paratë e fituara nga shitja e biletave për koncertin “Sinéad & Shane at Carnegie Hall” do të dhurohen për organizatën “PEN America”, e cila e promovon lirinë e shprehjes në SHBA.

Të martën zyra e mjekësisë ligjore në Londër e konfirmoi se O’Connor vdiq nga shkaqe natyrore, duke mos dhënë më shumë detaje. Edhe policia e kishte konsideruar vdekjen e saj jo të dyshimtë, pasi këngëtarja u gjet pa ndjenja në shtëpinë e saj në Londër, më 26 korrik 2023.

Kantautorja dhe aktiviste irlandeze, e cila bëri famë në moshën 20-vjeçare, shquhej për betejat e saj private dhe veprimet provokuese, aq sa edhe për muzikën ekspresive. Ajo më së miri njihej për hitin e lansuar në vitin 1990, “Nothing Compares 2 U”, i cili u pozicionua në vendin e parë të top-listave botërore.

Sinead Marie Bernadette O’Connor u lind në Glenageary në dhjetor të vitit 1966. Këngëtarja e kishte një fëmijëri të vështirë. Si tinejxhere, ajo u dërgua në qendrën e trajnimit “An Grianan” në Dublin, e krijuar fillimisht për të burgosur vajza të reja që konsideroheshin të shthurura. Një murgeshë ia kishte blerë asaj një kitarë, duke ia mundësuar të trajnohej nga një mësuese e muzikës, dhe kështu filloi karriera muzikore e O’Connorit.

Albumin e parë, “The Lion And The Cobra”, ajo e publikoi në vitin 1987, i cili arriti të futej në listën e 40 albumeve më të mira në Britani të Madhe dhe Amerikë. Albumi i radhës ishte “I Do Not Want What I Haven’t Got”, pjesë e të cilit ishte edhe kënga “Nothing Compares 2 U”. E shkruar nga Prince, kënga u pozicionua në vendin e parë anembanë botës. O’Connor, e cila ishte e hapur në pikëpamjet e saj politike dhe shoqërore, i publikoi gjithsej ​​10 albume të incizuara në studio nga viti 1987 deri më 2014.

Në vitin 1991 ajo u shpall “Artistja e vitit” nga revista “Rolling Stone”, si dhe fitoi çmim BRIT në kategorinë “Artistja më e mirë ndërkombëtare”. Një vit më vonë ndodhi një prej ngjarjeve më të rëndësishme të karrierës së saj kur ajo e grisi fotografinë e Papa Gjon Palit të Dytë gjatë emisionit “Saturday Night Live” që transmetohet live në Amerikë dhe ku ajo ishte ftuar për të performuar. Pas interpretimit të veçantë të këngës së Bob Marleyt, “War”, ajo shikoi drejt në kamerë dhe tha: “Luftoni armikun e vërtetë”. Qe shenjë proteste kundër abuzimit seksual të fëmijëve në Kishën Katolike. Ky veprim bëri që këngëtarja të përjashtohej përjetë nga kanali televiziv NBC dhe filluan protesta kundër saj në Shtetet e Bashkuara. Protestuesit ia shkatërronin albumet e këngëtares në mes të sheshit “Times Square” në New York.

“Nuk jam penduar që e bëra atë veprim. Ishte i shkëlqyeshëm”, kishte thënë ajo në një intervistë për gazetën “New York Times” në vitin 2021.

Albumi i fundit i incizuar në studio i O’Connorit, “I’m Not Bossy, I’m The Boss” u lansua në vitin 2014. Pasi u konvertua në fenë islame në vitin 2018, këngëtarja nga Dublini e ndërroi emrin në Shuhada’ Sadaqat, por vazhdoi të performojë me emrin e lindjes. Në vitin 2021 e publikoi edhe librin me kujtime të titulluar “Rememberings”.

Marrë nga “The Guardian” dhe “Associated Press”, përktheu Koha.net.

LEXO EDHE:

Back to top button