Pakistani, sulme hakmarrëse ndaj Iranit, në shënjestër caqet terroriste

Pakistani, sulme hakmarrëse ndaj Iranit, në shënjestër caqet terroriste

Avionët luftarakë të Pakistanit kanë kryer sulme ajrore ndaj caqeve të supozuara militante në Iranin fqinj. Sipas zyrtarëve lokalë iranianë, në këto sulme janë vrarë katër fëmijë dhe tri gra. Sulmet në provincën Sistan-Baluçestan vijnë pasi Garda Revolucionare Islamike e Iranit sulmoi provincën jugperëndimore pakistaneze të Baloçistanit më 16 janar, duke vrarë dy fëmijë. Ministria e Jashtme e Pakistanit tha përmes një deklarate se sulmet shënjestruan bazat e “terroristëve”.

“Pakistani ndërmori një seri sulmesh ushtarake kundër vendstrehimeve terroriste në provincën Sistan Baluçestan të Iranit. Një numër terroristësh u vranë gjatë operacionit. Gjatë disa viteve të fundit, Pakistani ka ndarë vazhdimisht shqetësimet serioze në lidhje me vendet e sigurta të strehimit të terroristëve me origjinë pakistaneze që e quajnë veten sarmaçar në hapësirat brenda Iranit”, tha Mumtaz Zahra Baloç, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Pakistanit.

Sulmet hakmarrëse ajrore të Pakistanit ndodhën disa orë pasi Islamabadi tërhoqi ambasadorin e tij nga Irani, në shenjë proteste ndaj sulmit të kryer nga Garda Revolucionare Islamike e Iranit. Garda Revolucionare Islamike e Iranit tha se sulmet e 16 janarit në Baloçistan u kryen ndaj grupit militant sunit, Jaish al-Adl. Irani dhe Pakistani ndajnë një kufi prej 900 kilometrash dhe kontrolli i tij ka qenë i vështirë, duke u mundësuar disa grupeve militante, veçmas ato që kanë ideologji nacionaliste baluçe, të operojnë në zonë. Irani ka pretenduar se sulmet e 16 janarit shënjestruan një “seli të spiunëve izraelitë” afër Konsullatës amerikane në Irbil të Irakut, dhe caqe të lidhura me grupin militant, Shteti Islamik, në veri të Sirisë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button