Qeveria në dorëheqje, përgatitet Qeveria teknike
Qeveria në dorëheqje, përgatitet Qeveria teknike

Gazetare: Fatlume Dervishi
Qeveria me në krye Dimitar Kovaçevskin është në dorëheqje e cila pritet të konstatohet në seancën e nesërme. Kryeministri në largim dorëzoi personalisht dorëheqjen në Kuvend në orët e paraditës. Ai beson se qeveria teknike do ta vazhdojë orientimin e njëjtë.
“Me siguri shteti do ta mbajë drejtimin e tij strategjik, orientimin perëndimor dhe partneritetin strategjik me SHBA-të. Qeveria teknike po ashtu do të kujdeset për qytetarët sepse akoma jemi në krizë, siç kemi bërë në dy vitet e fundit. Kjo është diçka që parashikohet me ligj. Më 9 maj qeverinë përsëri do ta drejtoj unë dhe kjo shumicë parlamentare e cila do të sigurojë anëtarësim të plotë të Maqedonisë në BE deri në vitin 2030”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Dorëheqja e Kovaçevskit, sipas VMRO-DPMNE-së, është fillimi i fundit të pushtetit LSDM-BDI.
“Asnjëherë më nuk do të lejohet që Maqedonia të drejtohet nga kuadro të paaftë si Kovaçevski sepse më 8 maj populli bashkë me VMRO-DPMNE-në do t’i fitojë dhe do t’i dërgojë në harresë. Gjatë vitit të fundit me Kovaçevskin si kryeministër në Maqedoni ndodhën skandalet dhe nënçmimet më të mëdha të maqedonasve dhe Maqedonisë”, u shpreh Marija Miteva, VMRO-DPMNE.
Për t’u ndjekur procedurat, për dorëheqjen e qeverisë do të njoftohet presidenti.
Ndërkohë në orët e pasditës, dorëheqje dorëzoi edhe kreu i Kuvendit Talat Xhaferi. Pas konstatimit të dorëheqjes së qeverisë dhe dorëheqjes së kreut të Kuvendit gjatë ditës së nesërme, do të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit, Jovan Mitrevski. Xhaferi po nesër, do të marrë mandatin për formimin e qeverisë së re, e cila duhet të votohet të dielën më 28 janar./Alsat.mk