Hovenieri takon guvernatorin e BQK-së, kërkon sërish të shtyhet vendimi për dinarin

Hovenieri takon guvernatorin e BQK-së, kërkon sërish të shtyhet vendimi për dinarin

Ambasadori amerikan në Kosovë, Xhefri Hovenier, ka kërkuar shtyrjen e vendimit për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në Kosovë. Hovenier, bëri të ditur se sot ka takuar guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, derisa theksoi se respektojnë Kushtetutën, mirëpo vendimi për përdorimin vetëm të valutës euro sa i përket operacioneve me para të gatshme ka konsekuenca te qytetarët serb në Kosovë, andaj kërkoi pak kohë dhe përgatitje që popullsitë e prekura të mos ndikohen negativisht. Takimi mes ambasadorit Hovenier dhe guvernatorit Ismaili erdhi një ditë pasi shtetet e QUINT-it bënë kërkesën e njëjtë për shtyrjen e zbatimit të vendimit. Nga Qeveria e Kosovës kanë argumentuar se vendimi i BQK-së është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por QUINT-i ka thënë se ky vendim “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”.

“Shtetet e Bashkuara absolutisht e pranojnë Kushtetutën e Kosovës. Ne presim që Kushtetuta në tërësinë e saj të zbatohet plotësisht. Në këtë rast të veçantë, ne besojmë se këto rregullore mund të kenë pasoja që nuk janë menduar plotësisht. Pra, ajo që ne po i kërkojmë Bankës Qendrore dhe autoriteteve të bëjnë është të shtyjnë zbatimin e disa prej dispozitave për të dhënë pak kohë për t’u siguruar që ata kanë bërë përgatitjen për të siguruar që popullsitë e prekura të mos ndikohen negativisht. Personat që kanë marrë pagesa në një mënyrë të caktuar kanë marrëveshje për të marrë pagesa në një mënyrë tjetër”, tha Xhefri Hovenier, ambasador i SHBA-së, Kosovë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button