Sauditët bëjnë sërish përshtypje: Udhëtim në shkretëtirë me një tren luksoz me vlerë 53 milionë dollarë
Hekurudhat e Arabisë Saudite (SAR) është një kompani shtetërore që synon ta bëjë udhëtimin në shkretëtirë shumë më magjepsës.

Kompania kohët e fundit nënshkroi një marrëveshje me kompaninë italiane Arsenale për udhëtime luksoze me tren me vlerë 53.33 milionë dollarë. Arabia Saudite ka hapur dyert për turistët, duke dashur të ketë sa më shumë turistë.
Ka investuar shumë dhe do të investojë në turizëm dhe vetëm një nga investimet është sa 500 miliardë dollarë – aq sa do të shpenzohen për të ndërtuar një qytet të shkretë në veriperëndim të vendit.
Siç njoftoi media shtetërore saudite, treni luksoz duhet të fillojë të funksionojë në fund të vitit 2025. Treni i quajtur “Ëndrra e shkretëtirës” do të udhëtojë nga kryeqyteti Riad për në Al Qurayat, një qytet që ndodhet në veri të vendit, në kufi me Jordaninë.
Ai do të lëvizë në të gjithë vendin, përgjatë një rruge 1300 kilometra të gjatë, përmes rajoneve të shkretëtirës. Dizajni i trenit është frymëzuar nga stili dhe tradita saudite, ai do të ketë 40 kabina luksoze dhe prodhimi i tij është duke u zhvilluar. Rezervimet për udhëtimet duhet të hapen në fund të këtij viti.
Paolo Barletta, CEO i kompanisë Arsenale, tha se do të mund të rezervoni një udhëtim për një ose maksimum dy netë dhe se kapaciteti do të jetë 82 pasagjerë.
“Produksioni i “Desert Dream” ka nisur së fundmi në Itali dhe ne mezi presim që treni ynë i parë të nisë të funksionojë në vitet e ardhshme”, tha Barletta.
Vendimi i Arabisë Saudite për të hyrë në tregun e trenave luksoze vjen mes kërkesës në rritje për trena me shpejtësi të lartë dhe luksoze në mbarë botën. Një numër vendesh po investojnë miliona, madje miliarda, në infrastrukturë të re për shkak të kërkesës për një mënyrë udhëtimi më të qëndrueshme për mjedisin.
Për shembull, presidenti amerikan Joe Biden ka premtuar të investojë 30 miliardë dollarë në hekurudhat në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Franca planifikon të investojë 106 miliardë dollarë në hekurudha deri në vitin 2040.
“Ëndrra e shkretëtirës” saudite do të nisë një vit pas trenit “Orient Express – La Dolce Vita”, i cili është rezultat i bashkëpunimit mes Arsenales dhe Accor. Është një tren me 11 vetura, dizajni i të cilit është frymëzuar nga periudha ‘La Dolce Vita’ e viteve ’60. Ai do të ketë një brendshme tepër luksoze të përbërë nga 12 kabina luksoze, 18 suita dhe një restorant. Ky tren u prezantua në vitin 2021 dhe do të udhëtojë nga Londra në Venecia.
“Udhëtimi me tren përfaqëson një zgjedhje më të gjelbër transporti, duke përmirësuar udhëtimet në qytetet e mëdha si dhe në qytetet më të vogla me vendndodhje dhe peizazhe tërheqëse,” tha CEO i kompanisë italiane të hekurudhave Trenitalia, Luigi Corradi.

Lajmi i “Desert Dream” vjen gjashtë vjet pas krijimit të një treni me shpejtësi të lartë që lidh qytetet e Mekës dhe Medinës me Aeroportin Ndërkombëtar të Mbretit Abdulaziz të Jeddah.
Rrjeti hekurudhor duhet të shtrihet në të gjithë vendin dhe trenat do të lëvizin përgjatë tij, me një shpejtësi deri në 300 kilometra në orë. Ministri i Investimeve i Arabisë Saudite, Khalid Al Falih, njoftoi ndërtimin e 8,000 kilometrave hekurudhë në fillim të vitit 2022. Ky investim është pjesë e përpjekjeve të këtij vendi për të diversifikuar ekonominë e tij, pra nafta nuk duhet të jetë më i vetmi burim të ardhurash.
Arabia Saudite planifikon të investojë më shumë se 800 miliardë dollarë në 10 vitet e ardhshme dhe të arrijë qëllimin për të tërhequr 70 milionë turistë nga e gjithë bota deri në vitin 2030. Ndër këto investime është edhe qyteti futuristik i NEOM-it si një destinacion krejtësisht i ri turistik përgjatë bregut të Detit të Kuq. Ky qytet po ndërtohet në shkretëtirë në veriperëndim të vendit. Të dhënat e fundit tregojnë se investimet e mëparshme kanë dhënë rezultat.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Turizmit (UNWTO), numri i turistëve të huaj në Arabinë Saudite vitin e kaluar ishte 56% më i lartë se në vitin 2019, një vit para fillimit të pandemisë së koronavirusit.
Kompania Saudite e Hekurudhave është zotuar se do t’i përkushtohet plotësisht programit të qeverisë të njohur si “Saudi Vision 2030”, i cili përfshin diversifikimin ekonomik të vendit gjatë dhjetë viteve të ardhshme. Një nga synimet kryesore është zhvillimi i turizmit dhe i kulturës.
CEO i Hekurudhave të Arabisë Saudite, Khaled Al Malik, beson se “Ëndrra e Shkretëtirës” do të thotë shumë për kompaninë që ai drejton. “Ëndrra e shkretëtirës” do të jetë mjaft mbresëlënëse për të konkurruar me “Orient Express – La Dolce Vita” të lartpërmendur ose trenin japonez “Seven Stars Kyushu”, transmeton CNN.