Plumb automatiku në oborrin e Taravarit
Plumb automatiku në oborrin e Taravarit

Një plumb i armës automatike është gjetur në oborrin e kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari. Plumbin e ka gjetur vet Taravari duke dalë nga shtëpia. Rasti është konfirmuar edhe nga policia. Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë ka njoftuar se rreth orës 9 e 45 minuta , në shtëpinë e Taravarit është gjetur një plumb i armës automatike i kalibrit 7.62 milimetra. Policia thotë se ka kryer hetime në vendin e ngjarjes, ndërsa plumbi është dërguar për ekspertizë të mëtejme. Në reagimin e tij kreu i ASH-së Arben Taravari thotë se ndjen keqardhje për ngjarjen, ndërsa thotë se qëllimi i këtij akti është heshtja e të tij. Ky veprim sipas Taravarit dëshmon për dëshpërimin e thellë në të cilin ndodhen ata që e mbajnë peng këtë vend.
“Është në hall të madh kushdo që i mbaron fjala dhe i mbetet vetëm plumbi. Kujtdo që e ka lëshuar atë plumb, i them se edhe sikur artileri të rëndë të lëshoni, ndryshimi ka filluar dhe nuk asgjë që e ndal. Ju mund të më vrisni mua dhe kjo do të ishte një humbje e madhe për familjen time dhe më vjen keq që këtë po e lexojnë edhe fëmijët e mi, por ju do të vrisnit vetëm një njeri, por çfarë do t’i bëni mijëra, qindra-mijërave e miliona njerëzve që tashmë janë ngritur në këtë? Ju nuk do të mund të më heshtni. Ju nuk mund të heshtni, vrisni, ndaloni një popull. Ndryshimin e kemi filluar dhe me mua ose pa mua, ndryshimi u kry”, tha Arben Taravari, kryetar i ASH-së.
Plumbi në oborrin e Taravarit u gjet pas njoftimit të tij për bashkëngjitje me opozitën shqiptare. Ndërkohë zyrtarë të Aleancës për Shqiptarët kanë bërë thirrje për qetësi dhe maturi. Sipas tyre ASH-ja është e të gjithëve dhe se nuk ka nevojë për tensione e kërcënime të ndryshme pasi edhe ndarjet duhet të jenë të civilizuara dhe me dinjitet./Alsat.mk