Brajtoni shpenzon 22.5 milionë euro për talentin ganez

Brajtoni i trajnerit italian, Roberto De Zerbi, praktikisht kanë mbyllur blerjen e tyre të parë për sezonin e ardhshëm. Më pak se një javë para “gongut” të afatit kalimtar të dimrit, klubi i Premier Ligws nisi një sulm ndaj talentit të fundit ganez që rritet në Nordsjaelland.
Bëhet fjalë për anësorin e lindur në vitin 2004, Ibrahim Osman, autor i katër golave dhe pesë asistimeve në 29 ndeshje në kampionatin danez. Një përforcim i rëndësishëm për Brajtonin, i cili ka siguruar një të ri me perspektivë. Siç raporton Fabrizio Romano (gazetar italian i specializuar për lëvizjet e futbollistëve), Brajtoni dhe Nordsjaellandi kanë arritur një marrëveshje mbi bazën e 19.5 milionë eurove si pjesë fikse, plus 3 milionë bonuse.
Marrëveshja parashikon që Nordsjaellandi do të mbajë 10% të vlerës së kartonit në rast të rishitjes së futbollistit në të ardhmen. Ibrahim Osman mësohet se ka kaluar kontrollet mjekësore dhe do të nënshkruajë kontratë deri në vitin 2029.