Mbape nën presion ndaj Renit, pret reagimin e tifozërisë franceze

Skuadra e Luis Enrikes, rikthehet në “Park des Princes” për herë të parë që kur kampioni i botës në 2018, Kilian Mbape, informoi klubin dhe shokët e skuadrës se do të largohet në fund të kontratës.
Tifo-grupet “Auteuil” dhe “Collectif Ultras Paris” (CUP) pritet t’ia kursejnë atij ngacmimet, të paktën derisa Mbape të thotë publikisht “lamtumirë”. Pjesa tjetër e tifozëve parizienë, gjithmonë më e paqëndrueshme, nuk përjashtohet që t’i shprehin zhgënjimin numrit 7 parizien për zgjedhjen e bërë, largimin nga PSZH pas 7 vitesh për të provuar një aventurë të re, e cila sipas të gjitha gjasave do të jetë te Real Madridi.
“Nuk kam vënë re ndonjë ndryshim në mënyrën e tij të stërvitjes”, – tha shkurt Luis Enrike, i cili fillimisht e kishte dërguar në stol ndaj Nantes, por sot, kundër Renit, vështirë se do të bëjë pa yllin e tij, golashënuesin më të mirë të skuadrës dhe Ligue 1 me 21 gola. Shtesë është fakti se “bretonët”, përtej eliminimit në Liga Europa nga Milani, vijnë me 6 fitore radhazi në kampionat dhe i janë afruar zonës së Ligës së Kampionëve.
Mbrojtësi portugez i krahut, Nuno Mendes, i cili këputi tendinën në gjurin e djathtë gjatë verës, pritet të kthehet në skuadër. Përveç të munguarve të zakonshëm Kimpembe dhe Shkriniar, nuk do të luajë edhe kapiteni Markinjos, kryesisht si masë paraprake, pas një goditjeje në pulpën e këmbës kundër Nantit. Andaj shiriti i kapitenit do të shkojë pashmangshërisht në krahun e Mbapes. Me vërshëllima të tifozëve kundër tij apo jo, kjo ka pak rëndësi…