Gruaja më e vjetër në botë feston 117-vjetorin e lindjes
Gruaja më e vjetër në botë feston 117-vjetorin e lindjes

Sot është ditëlindja e 117-të e personit më të vjetër të gjallë në botë, Maria Branyas Morera.
Maria lindi më 4 mars 1907 në San Francisko, SHBA, por u kthye në Spanjë me familjen e saj kur ishte tetë vjeç për t’u vendosur në Kataloni.
Ajo ka jetuar atje që atëherë dhe ka banuar në të njëjtën shtëpi pleqsh për 23 vjetët e fundit.
Maria u bë personi më i vjetër në botë në janar të vitit 2023, pas vdekjes së 118-vjeçares Lucile Randon (Francë).
Shtëpia e të moshuarve ku qëndron Maria ka treguar se ajo është shumë mirë nga pikëpamja shëndetësore.
Përveç vështirësisë në dëgjim dhe problemet me lëvizjen, ajo nuk ka probleme me shëndetin fizik apo mendor.
Në fakt, ajo është në gjendje aq të mirë sa ka pranuar t’i nënshtrohet testeve shkencore nga studiues të cilët shpresojnë të fitojnë njohuri të mëtejshme mbi sekretet e jetës së gjatë.
Shkencëtari Manel Esteller, i cili ka biseduar gjatë me Marian, tha për gazetën spanjolle ABC: “Ka një mendje krejtësisht të kthjellët. Kujton me qartësi mbresëlënëse ngjarjet e kohës kur ishte vetëm katër vjeç dhe nuk paraqet asnjë sëmundje kardiovaskulare, e zakonshme te të moshuarit.
“Është e qartë se ka një komponent gjenetik sepse ka disa anëtarë të familjes së saj që janë mbi 90 vjeç”.
Janë marrë mostra të pështymës, gjakut dhe urinës së Marias dhe do të krahasohen me ato të vajzës së saj 80-vjeçare. Studiuesit shpresojnë se vlerësimi i gjeneve të Marias do të ndihmojë në zhvillimin e barnave që mund të luftojnë sëmundjet që lidhen me plakjen.
Duke iu përshtatur statusit të saj si personi më i vjetër në botë në epokën digjitale, Maria është aktive në X (i njohur më parë si Twitter) me ndihmën e vajzës së saj. Biografia e saj thotë: “Jam e vjetër, shumë e vjetër, por jo një idiote”.
Përveç “fatit dhe gjenetikës së mirë”, Maria ia atribuon jetëgjatësinë e saj “rendit, qetësisë, lidhjes së mirë me familjen dhe miqtë, kontaktit me natyrën, stabilitetit emocional, pa shqetësime, me shumë pozitivitet dhe qëndrimit larg njerëzve toksikë”.
Për shkak të dëgjimit të saj të dobët, familja e Marias përdor një pajisje zëri për të komunikuar me të.
Ajo u bë e shurdhër përgjithmonë në njërin vesh kur ishte fëmijë, pasi u rrëzua sa ishte duke luajtur me vëllezërit e saj gjatë udhëtimit nga Amerika në Spanjë në vitin 1915.
Kjo nuk ishte fatkeqësia e vetme që pësoi familja në bordin e anijes – i ati i Marias fatkeqësisht vdiq për shkak të tuberkulozit pulmonar në fund të udhëtimit.
Maria jetoi gjatë pandemisë së gripit spanjoll të vitit 1918 si dhe Luftës Civile Spanjolle (1936–1939), për të cilën ajo tha se ka “kujtime shumë të këqija”.
Ajo u martua në vitin 1931 me një mjek katalanas të quajtur Joan Moret, me të cilin pati tre fëmijë.
Burri i saj ndërroi jetë në vitin 1976; ajo ka përjetuar edhe vdekjen e djalit të saj të vetëm, Augustin, i cili vdiq në një aksident traktori në moshën 86-vjeçare.
Mbi një shekull pas pandemisë së 1918-s, Maria i mbijetoi edhe COVID-19 – ajo u infektua disa javë pasi mbushi 113 vjeç në vitin 2020, por u shërua plotësisht brenda disa ditësh, duke u bërë e mbijetuara më e vjetër në botë nga COVID-19. Titulli u mor më vonë gjatë vitit nga Lucile Randon, e cila ishte tri vjet më e madhe se Maria.
Pavarësisht se pranoi se “po i afrohet gjithnjë e më shumë vdekjes” në një postim në X muajin e kaluar, Maria ka një pikëpamje pozitive për jetën dhe beson se ka gjithmonë diçka të re për të mësuar çdo ditë, edhe në moshën e saj.
Ajo është tani personi i 12-të më i vjetër i verifikuar në histori dhe nëse mbush 118-vjetorin, ajo do të ngjitet në vendin e 5-të. Personi më i vjetër ishte francezja Jeanne Calment, e cila jetoi deri në moshën 122 vjeç e 164 ditë.