Trumpi takohet me Muskun në Florida
Trumpi takohet me Muskun në Florida

Donald Trump u takua me miliarderin Elon Musk në Florida gjatë fundjavës, ndërsa ish-presidenti republikan kërkon infuzion të madh parash për fushatën e zgjedhjeve të nëntorit, raporton The New York Times.
Trumpi u takua me Muskun – një nga njerëzit më të pasur në botë – dhe një numër donatorësh të pasur republikanë të dielën dhe shpreson që së shpejti të ketë diskutim kokë më kokë me shefin e Teslas, SpaceX dhe “X”, platforma e rrjeteve sociale e njohur më parë si Twitter.
Trump dhe Musk nuk kanë komentuar për takimin.
Trump, pasuria personale e të cilit mori goditje për shkak të gjyqeve, po synon të rreshtojë kontribues të tjerë në fushatën e tij për president.
Musk nuk ka thënë nëse ka në plan të mbështesë Trumpin financiarisht, por sipërmarrësi miliarder me origjinë nga Afrika e Jugut ka sugjeruar nëpërmjet postimeve se është kundër që presidenti aktual Joe Biden – i cili mposhti Trumpin më 2020 – të fitojë mandat të dytë në nëntor.
Musku ka kërkuar prej kohësh të identifikohet si i pavarur politikisht, por më parë ka deklaruar se ka votuar për Bidenin në vitin 2020. Megjithatë, që atëherë, ai e ka kritikuar presidentin dhe është përplasur me administratën e tij.