BE-ja kundërshton planin e Izraelit për shtëpi të reja në Bregun Perëndimorë
BE-ja kundërshton planin e Izraelit për shtëpi të reja në Bregun Perëndimorë

Bashkimi Evropian ka dënuar vendimin e Komitetit për planifikim të lartë të Izraelit që planifikon të ndërtojë edhe 3.426 shtëpi në Bregun e pushtuar Perëndimor, duke zgjeruar edhe më tej “vendbanimet ilegale” në këtë territor. Përmes një deklarate blloku evropian i bëri thirrje Izraelit që të zhbëjë këtë vendim. “BE-ja përsërit se vendbanimet janë ilegale sipas ligjit ndërkombëtar dhe përbëjnë pengesë për paqe pasi ato kërcënojnë zgjidhjen me dy shtete”, u tha në deklaratë ku u shtua se vendimi për ndërtimin e vendbanimeve të reja është në kundërshtim me përpjekjet për të ulur tensionet. “Qëndrimi i BE-së mbetet i pandryshuar: ne nuk do të njohim asnjë ndryshim në kufijtë para vitit 1967, përfshirë ndryshimet lidhur me Jerusalemin”, u tha në njoftim. Pavarësisht kundërshtimeve nga jashtë, në dekadat e fundit Izraeli ka ndërtuar vendbanime për kolonët izraelitë përgjatë Bregut Perëndimor. Në Bregun Perëndimor në këto vendbanime jetojnë mbi 490.000 izraelitë. Në këtë territor po ashtu jetojnë afër 3 milionë palestinezë. /Alsat.mk