Mickoski: Deri në fund kundër krimit të BDI-së
Mickoski: Deri në fund kundër krimit të BDI-së

Kreu i VMRO- DPMNE-së, Hristijan Mickoski në fjalën e tij në konventën promovuese të listës për deputetë në zgjedhjet e 8 majit u shpreh se do të ketë përgjegjësi për të gjithë zyrtarët e Bashkimit Demokratik për Integrim që kanë shkelur ligjin dhe kanë bërë vepra penale. Sipas Mickoskit BDI-ja herë prezantohet si parti e gjelbër, herë si evropiane, asnjëherë nuk e ka ndryshuar imazhin e krimit. Lideri i VMRO DPMNE-së u shpreh se këto zgjedhje janë shans që të dërgohet porosi për ata që me dekada e kanë vjedhur Maqedoninë. Sipas Mickoskit BDI-ja është faktori politik, i cili përveç se e nënçmoi LSDM-në dhe nga ajo parti e madhe bëri lodër të vogël në duart e saj, në çdo institucion bëri bdizimin apo kriminalizimin e Maqedonisë.
“Ata, BDI-ja, 20 vite, edhe pse janë ngjitur në qeverisje, pas çdo ndryshimi të pushtetit, edhe pse të përfshirë në afera apo raste kriminale, nuk ka asnjë njeri nga struktura e tyre që ndonjëherë është përgjigjur para ligjit. Çdoherë kur do t’i thoni gjërat ashtu siç janë, ata fillojnë të flasin për tema etnike dhe akuzojnë se dikush ka kundër shqiptarëve nëse i sulmon kriminelët e BDI-së. Unë si njeri nuk kam asgjë kundër asnjë populli, por jam kundër që të vidhet Maqedonia dhe të shkatërrohet pamëshirshëm”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO DPMNE.
Mickoski u shpreh se Ahmeti dhe ata rreth tij e dinë se çfarë kanë bërë gjithë këto 20 vite dhe atë që nuk kanë mundur ta bëjnë me pushkë tani duan ta bëjnë brenda në institucione. Sipas tij qëllimi është plaçkitja, shkatërrimi, nënçmimi dhe turpërimi i vendit dhe i atyre që e kanë mbrojtur Maqedoninë. Mickoski tha se do të shkojë deri në fund për të kërkuar përgjegjësi nga zyrtarët e BDI-së.
“Së pari do të shkojnë në opozitë e pastaj unë ju garantoj dhe ua jap fjalën se do të përgjigjen për çdo lot të derdhur të nënës, gjyshes, motrës, për çdo fëmijë që e ka lënë Maqedoninë sepse janë ndjerë qytetarë të rendit të dytë, sepse dikush ua ka vjedhur ardhmërinë”, shtoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO DPMNE.
Mickoski në fjalën e tij u bëri thirrje shqiptarëve, që sipas tij njësoj si maqedonasit dhe të tjerët jetojnë keq, në zgjedhje t’i dërgojnë porosi BDI-së dhe Ahmetit që me votën e tyre të ndikojnë që të shkojnë në opozitë dhe pastaj të ballafaqohen me drejtësinë.