Izraeli dhe Irani përplasen në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë

Izraeli dhe Irani përplasen në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë

Gazetare: Xhesika Sallahi

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Izraeli dhe Irani akuzuan njëri-tjetrin për përshkallëzimin e situatës në rajon. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, bëri thirrje për përmbajtje maksimale.

“Njerëzit e rajonit po përballen me rrezikun real të një konflikti shkatërrues në shkallë të plotë. Tani është koha për përmbajtje maksimale. Është jetike të shmanget çdo veprim që mund të çojë në konfrontime ushtarake të matura në fronte të shumta në Lindjen e Mesme. Ne kemi një përgjegjësi të përbashkët për të punuar për paqen. As rajoni dhe as bota nuk mund të përballojnë më shumë luftë”, deklaroi Antonio Guterres, sekretari i përgjithshëm i OKB-së.

Ambasadori izraelit në OKB, i kërkoi Këshillit të Sigurimit që të shpallë Gardën Revolucionare të Iranit si organizatë terroriste.

“Irani, sponsori numër një global i terrorit, ka ekspozuar fytyrën e tij të vërtetë si de stabilizues i rajonit dhe botës. Dhe tani është koha kur bota duhet të ndalojë shpërfilljen e krimeve të Iranit dhe të ndërmarrë veprime. Ky sulm kaloi çdo vijë të kuqe dhe Izraeli rezervon të drejtën ligjore për t’u hakmarrë”, deklaroi Gilad Erdan, ambasador Izraelit në Kombet e Bashkuara.

Nga ana tjetër sipas ambasadorit të Iranit në OKB, vendi i tij po ushtron të drejtën e vetëmbrojtjes.

“Operacioni i Iranit ishte tërësisht në ushtrimin e të drejtës së brendshme të Iranit për vetëmbrojtje. Ishte e saktë dhe vetëm synonte objektivat ushtarake dhe u krye me kujdes për të minimizuar mundësinë e përshkallëzimit. Irani nuk ka ndërmend të angazhohet në konflikt me SHBA-në në rajon. Megjithatë, nëse SHBA nis operacionin ushtarak kundër Iranit, qytetarit të tij, ose sigurisë dhe interesave të tij, Irani do të përdorë të drejtën e tij për t’u përgjigjur proporcionalisht”, tha Amir Saeid Iravani, ambasador iranian në Kombet e Bashkuara.

Ndërkohë, në takimin virtual të udhëheqësve të vendeve të industrializuara, të G7-së, udhëheqësit dënuan në termat më të forta sulmin e Iranit kundër Izraelit, duke lëshuar mbi 300 dronë dhe raketa. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button