Arteta beson te titulli, por pret “asist” nga Totenhami ose Uest Hemi

Arsenali fal golit të Trosardit mundi Man. Junajtedin në “Old Trafford”. Goli i belgut solli tri pikët për “Gunners”-at, që tashmë presin ndonjë dhuratë nga Tottenhami ose Uest Hami – dy kundërshtarët e radhës të Man. Sitit, për të arritur te titulli kampion. Trajneri Mikel Arteta beson te fitimi i Premier Ligës , ndërkohë që analizoi triumfin ndaj skuadrës së Erik ten Hag.
“Fitorja ishte detyrim. Ia dolëm të merrnim maksimumin në një fushë të vështirë. Jemi shumë të lumtur që fituam. E filluam shumë mirë ndeshjen, e dominuam Manchesterin. Por nuk më pëlqeu shumë ajo çfarë ndodhi pasi shënuam golin. Nisëm të kthenim topin pas, ndërkohë që po e humbnim topin në zonë të rrezikshme. Gjithsesi, ne u mbrojtëm shumë mirë dhe nuk u lejuam shumë hapësira kundërshtarëve. Truri im është i përqendruar plotësisht te kapja e Cityt dhe fitimi i titullit. Unë besoj”, theksoi tekniku spanjoll.
Arsenali e mbyll sezonin në Londër kundër Evertonit, përballje e programuar për datën 19 maj. Nëse “Topçinjtë” dhe Man. Siti e mbyllin sezonin me pikë të barabarta, kampione do të shpallet skuadra që ka golavarazhin më të mirë. Për momentin, Arsenali është +3 gola krahasuar me kampionët në fuqi.