Presidenti i Iranit dhe shoqëruesit e tij janë gjetur të vdekur në vendin ku u rrëzua helikopteri

Presidenti i Iranit dhe shoqëruesit e tij janë gjetur të vdekur në vendin ku u rrëzua helikopteri

Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi dhe shoqëruesit e tij, përfshirë ministrin e Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian, janë gjetur të vdekur në vendin ku u rrëzua një helikopter në veriperëndim të Iranit. Ligji iranian thekson se, nëse vdes presidenti, atëherë pushteti i kalohet zëvendës presidentit të parë. Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Kamenei, ka shpallur pesë ditë zie pas gjetjes së trupave të presidentit dhe ministrit të Jashtëm në vendin ku u rrëzua helikopteri në veriperëndim të Iranit. Khamenei gjithashtu e emëroi zëvendëspresidentin e parë, Mohammad Mokhber, si president të përkohshëm. Ligji iranian thekson se, nëse vdes presidenti, atëherë pushteti i kalohet zëvendëspresidentit të parë. Një këshill, i përbërë nga kryetari i Parlamentit, kryetari i Gjyqësorit dhe nga zëvendëspresidenti i parë, duhet ta organizojë emërimin e presidentit të ri brenda 50 ditëve. Zëvendësministri i Jashtëm, Ali Bagheri, u emërua ministër i Jashtëm në detyrë, raportuan mediat shtetërore iraniane. Qeveritë e huaja shprehën ngushëllime dhe solidarizim. Libani shpalli tri ditë zie për të nderuar Raisin. Presidenti rus Vladimir Putin e përshkroi homologun e tij iranian si një “politikan të shquar” dhe tha se vdekja e tij ishte një “humbje e pariparueshme”, sipas një deklarate nga Kremlini. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se Raisi dhe Abdollahian ishin të dy “miq të vërtetë dhe të besueshëm të Rusisë”. Hamasi, lëshoi një telegram ngushëllimi dhe falënderoi Raisin për “përpjekjet e tij të palodhura për t’u solidarizuar” me popullin palestinez. Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, lëshoi një deklaratë me “ngushëllime të sinqerta”. Helikopteri i Raisit po kthehej nga qyteti Tabriz kur u rrëzua në afërsi të qytetit Jolfa. Televizioni shtetëror e kishte përshkruar si “ulje të vrazhdët”, por disa media raportuan, me burime qeveritare, se helikopteri u rrëzua derisa po e kalonte një zonë malore. Ekipet e shpëtimit, të ndihmuara nga disa qeveri të huaja, bënë përpjekje të mëdha për ta gjetur helikopterin, i cili ishte rrëzuar si pasojë e gjendjes së keqe atmosferike në bjeshkët e vendit. Raisi dhe Amir-Abdollahian udhëtuan në Azerbajxhan më 19 maj, për ta përuruar një digë me presidentin e Azerbajxhanit. Raisi u zgjodh president në vitin 2021 dhe prej atëherë i kishte ashpërsuar kufizimet ndaj iranianëve, përmes zbatimit të detyrueshëm të ligjeve të moralit dhe përmes një lufte të përgjakshme kundër protestave antiqeveritare, të cilat ishin nxitur nga vdekja e Mahsa Aminit në paraburgimin policor për gjoja shkeljen e ligjit për bartjen e shamisë së kokës. Ai kishte bërë përpjekje të mëdha në bisedimet bërthamore me fuqitë botërore, duke e lejuar vendin e vet që njëkohësisht ta rrisë dukshëm edhe programin e vet për uranium të pasuruar. Ebrahim Raisi, presidenti iranian ultrakonservativ, parashihej të bëhet lideri i ardhshëm suprem i vendit. Raisi, figurë e afërt për kohë të gjatë me liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka qenë më parë shef i gjyqësorit, kur dyshohet të ketë luajtur rol kyç në një prej kapitujve më të errët të Republikës Islamike. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button