Maqedonci: Grupi i terroristit serb, Milan Radonjçiq po lëvizë shpesh afër kufirit të Kosovës

Maqedonci: Grupi i terroristit serb, Milan Radonjçiq po lëvizë shpesh afër kufirit të Kosovës

Gazetar: Shkëlzen Aqifi

Grupi i terroristit serb, Milan Radonjçiq po lëvizë shpesh afër kufirit të Kosovës. Ministri i mbrojtjes i Kosovës Ejup Maqedonci thotë se ky grup paraqet kërcënim për sigurinë, derisa mbetet i pandëshkuar për sulmin terrorist të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit. Maqedonci në një intervistë për KosovaPress, tha se Serbia përmes stërvitjeve ushtarake përgjatë brezit kufitar dëshiron t’i bëjë presion Kosovës, andaj vazhdon të paraqes kërcënim për vendin.

“Duke i shtuar faktin se ky grup ka qenë i mbështetur nga strukturat e sigurisë së Serbisë, duke marrë parasysh evidencat që janë gjetur, me theks të veçantë sistemet e armatimit që janë përdorur nga ky grup që kanë qenë sisteme të prodhuar në fabrika në Serbi dhe që nuk mundet të blihen në treg komercial…Fakti që ky grup vazhdon të jetë i lirë në Serbi dhe që lëvizë shpesh afër kufirit të Kosovës, vazhdon të mbetet një kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin. Prezenca e këtyre bazave të përparme operacionale të ushtrisë dhe xhandarmerisë serbe jo shumë larg kufirit me Kosovën vazhdon të paraqes kërcënim për vendin tonë”, tha Ejup Maqedonci, Ministër i Mbrojtjes i Kosovës.

Ai veçon edhe militarizimin e Serbisë nga Rusia dhe Kina, që sipas tij, paraqesin kërcënim për destabilizimin në tërësi të Ballkanit Perëndimor.

“…militarizimi dhe vendosja e shumë njësive ushtarake në jug të territorit të Serbisë, jo larg kufirit me Kosovën është një tej zgjatje ushtarake e synimeve hegjemoniste. Ky militarizim po i kontribuon destabilizimit jo vetëm të vendit tonë por edhe të gjithë Ballkanit në tërësi. Pavarësisht kësaj ne jemi të vendosur që të me çdo mjet dhe çdo mundësi të mbrojmë integritetin territorial të vendit dhe sovranitetin, gjithmonë në bashkëpunim me aleatët dhe me trupat ndërkombëtare që janë në Kosovë”, shtoi ai.

Maqedonci thotë se anëtarësimi në NATO është nevojë urgjente për sigurinë e Kosovës. Sipas tij, Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në aspektin e përgatitjes së saj për të qenë pjesë e aleancës veri-atlantike. Ai tha se avancimi i statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, do të ndihmojë në arritjen e këtij qëllimi madhor për Kosovën./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button