Koordinimi i parë në Kuvend mbahet nesër, Gashi: Riorganizimi i resorëve çështja e parë
Koordinimi i parë në Kuvend mbahet nesër, Gashi: Riorganizimi i resorëve çështja e parë

Gazetare: Fatlume Dervishi
Kuvendi nesër do të ketë koordinimin e parë të zakonshëm të ditës së hënë, në të cilin pritet të shihet nëse do të paraqiten përfaqësuesit e Frontit Evropian, të cilët bojkotuan votimin dhe fjalimin e kreut të ri të Kuvendit, Afrim Gashi.
Në intervistë për Radion Evropa e Lirë, Gashi tha se ndër çështjet e para që pret të adresojë kjo përbërje është ndryshimi i ligjeve për riorganizimin e ministrive.
“Si koalicion i cili tashmë është i qartë mes VMRO-së, ZNAM-it dhe VLEN-it, kemi marrëveshje që Kuvendi të fillojë me riorganizimin e ministrive dhe resorëve. Kështu që duam fillimisht ta sjellim atë ligj që qeveria që do të zgjidhet, të zgjidhet në korniza të këtij ligji”, tha Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.
Gashi thotë se përveç kësaj, duhet të zgjidhet edhe çështja e zgjedhjes së kryetarëve të rinj në Komuna ku kryetarët janë bërë deputetë ose do të bëhen ministra. Sa u takon ndryshimeve kushtetuese, Gashi thotë se nuk mban mend të kenë vendosur afat deri në fund të vitit, por thotë se kjo duhet të ndodhë sa më shpejt që është e mundur, sigurisht, duke pasur parasysh edhe zgjedhjet në Parlamentin Evropian, në SHBA dhe situatën politike në Bullgari.
“Presim që të ketë mirëkuptim nga të gjithë palët sepse ky nuk është kontest bilateral mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë por janë edhe më shumë faktorë dhe duhet të gjithë të ulemi në tavolinë që ta eliminojmë atë problem”, shtoi Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.
Kreu i Kuvendit shtoi se kur të hapet Kushtetuta, partia e tij e ka pasur kusht amendamentin për mosvjetërsimin e lëndëve gjyqësore por edhe të diskutohet çështja e 20-përqindshit./Alsat.mk