Sekretari Blinken sërish drejt Lindjes së Mesme
Sekretari Blinken sërish drejt Lindjes së Mesme

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken do rikthehet në Lindjen e Mesme të dielën me shpresën për të bindur Izraelin dhe militantët e Hamasit që të pranojnë një marrëveshje armëpushimi të konceptuar për të ndalur luftimet, për të liruar pengjet dhe për të lejuar më shumë ndihma humanitare në Rripin e Gazës të shkatërruar nga lufta.
Në një njoftim të Departamentit amerikan të Shtetit të premten thuhet se diplomati i lartë amerikan do të theksojë rëndësinë e pranimit nga Hamas-i të propozimit të paraqitur për armëpushimin dhe i përshkruar në një fjalim nga presidenti amerikan Joe Biden një javë më parë, propozim që është pothuajse identik me atë të miratuar nga Hamasi muajin e kaluar. Udhëtimi tre-ditor i sekretarit Blinken do të përfshijë ndalesa në Egjipt, Izrael, Jordani dhe Katar.
Vizita e fundit e sekretarit Blinken në rajon vjen ndërsa ofensiva e Izraelit në Gazë vazhdon me intensitet të plotë. Tanket dhe avionët luftarakë izraelitë goditën zonat qendrore dhe jugore të këtij territori gjatë natës dhe gjatë së premtes. Agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar zyrtarë lokalë të mjekësisë, raportoi se të paktën 28 palestinezë u vranë.
Në Gazën veriore, punonjësit palestinezë të emergjencave thanë se tre persona u vranë kur një sulm ajror izraelit goditi një shkollë të drejtuar nga OKB-ja. Ushtria izraelite tha se kishte në objektiv njerëz të armatosur të Hamasit që vepronin nga brenda shkollës.
Izraeli përdori të njëjtin shpjegim të enjten pas një sulmi ajror në një shkollë të operuar nga agjencia e ndihmave e OKB-së, e njohur si UNRWA, në kampin qendror të refugjatëve Nuseirat të Gazës, sulm për të cilin ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se vrau 40 persona.
Komisioneri i Përgjithshëm i UNRWA-së, Philippe Lazzarini tha se e konsideronte tronditës pretendimin se Hamasi po vepronte nga brenda shkollës dhe tha se agjencia e tij nuk ishte në gjendje ta verifikonte këtë pretendim.