Maturantët sot mbajtën provimin e dytë ekstern

Maturantët sot mbajtën provimin e dytë ekstern

Gazetare: Melihate Rustemi

Provimi i dytë i maturës shtetërore u shoqërua me parregullsi të shumta e madje edhe me incident verbal në shkollën e mesme “Mirko Milevski” në Kërçovë. Biljana Mihajllovska, drejtore e Qendrës Shtetërore të Provimeve tha se përveç nxënësve të larguar nga testimi janë larguar edhe testatorët të cilët, sipas Mihajllovskës, nuk kanë kryer detyrën në mënyrën e duhur. Ajo shtoi se nxënësit e larguar mund ta përsërisin testimin në afatin e muajit gusht.

“Të paktën, në 10 qytete kemi intervenuar dhe kemi larguar nxënësit nga testimi…Gjithashtu, mbikëqyrësit tanë në momentin që kanë larguar nxënësit kanë larguar edhe testatorët. Tashmë kemi evidencën se te cilët testatorë nxënësit kanë fotografuar testin dhe kanë shfrytëzuar telefonat celularë për kopjim. Ata testatorë janë ndërruar me testatorët rezervë. Në një shkollë ka hyrë prindi dhe ka sulmuar verbalisht mbikëqyrësit për shkak se kanë larguar dy nxënës që kanë përdorur telefon. Kërkuam intervenim edhe nga policia”, tha Biljana Mihajllovska, drejtore e Qendrës Shtetërore të Provimeve.

Në shkollën e mesme “Cvetan Dimov” në Çair organizatorët thanë se nuk hasën në asnjë pengesë gjatë realizimit të këtij testimi. Në këtë shkollë testin e maturës shtetërore e realizuan edhe maturantët e shkollës së mesme “Shaip Jusuf” të komunës Shuto Orizarë.

“Gjithsej, shkolla jonë i ka pasur të regjistruar 280 kandidatë ose nxënës. Risi për këtë vjet ishte se realizimi i testit ekstern edhe në gjuhën amtare dhe gjuhën angleze është realizuar në hapësira të hapura. Në shkollën tonë kishte kombinim të dy shkollave, kishin zgjedhur edhe gjuhë gjermane dhe matematikë mirëpo te ne mbi 90% e kandidatëve kishin gjuhën angleze”, deklaroi Vullnet Rexhepi, sekretar i maturës shtetërore SH.M.Q.SH “Cvetan Dimov”.

Gjuha angleze sërish u radhit ndër gjuhët dhe lëndët më të preferuara për provimin e dytë të maturës shtetërore. Disa nga maturantët vlerësuan se pyetjet ishin të vështira.

“Super kaluam, jemi të gëzuar. Pyetjet ishin mjaft të vështira megjithatë u përgjigjëm. Gjuhë angleze e kisha provimin. Mendoj se të gjithë e kemi kaluar, ndoshta jo shkëlqyeshëm por notë kaluese sigurisht po. Unë planifikoj të studio mjekësi të përgjithshme”, tha një maturant.

“Ne zgjodhëm gjuhë angleze dhe letërsi. Shumë mirë kaluam. Sinqerisht, pyetjet ishin të rënda megjithatë me profesorët kemi ushtruar pyetjet e viteve të kaluara dhe disa nga pyetjet i kishim të njohura. Nëse kalojmë mirë shpresojmë që këtu të regjistrohemi për studime”, u shpreh një maturante.

Maturantët dhanë vlerësime pozitive për organizimin. Thanë se pyetjet përfshinin të gjithë materialin që kishin mësuar gjatë katër viteve.

“Të gjitha që i kemi mësuar janë përfshi. Ishte shumë mirë, shumë qetë, kemi pasur kohë maksimum, gjithçka ishte ok, uroj të kalojmë. Çka në të ardhmen? Do të mendohem edhe njëherë, ekonomik ose juridik”, u shpreh një maturante.

Këtë vit, maturës shtetërore iu nënshtruan rreth 15 mijë nxënës. Më 1 qershor maturantët u testuan në gjuhë amtare kurse për testimin e sotëm paraprakisht kishin mundësinë të zgjedhin gjuhë angleze, gjuhë franceze, gjermane, ruse, matematikë, filozofi, estetikë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button