Në Berlin, konferenca për rimëkëmbjen e Ukrainës

Në Berlin, konferenca për rimëkëmbjen e Ukrainës

Gazetare: Xhesika Sallahi

Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy mirëpritën liderët evropianë në Konferencën dyditore të Rimëkëmbjes së Ukrainës, në Berlin.

Në fokus të takimit është riparimi i shtëpive, rrugëve, termocentraleve dhe fabrikave. Qëllimi është rritja e investimeve private në Ukrainë.

Banka Botërore i vlerëson kostot e rindërtimit deri në 450 miliardë euro. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, bën thirrje për hapa konkret.

“Ukraina ka të gjitha themelet natyrore për energjinë moderne, por pa financimin dhe investimet tuaja, ne nuk do të jemi në gjendje ta realizojmë këtë. Së bashku, me ne do të krijojmë një fondacion të ri energjie. Kjo mund të krijojë të paktën dhjetëra mijëra vende të reja pune për ju dhe për ne”, tha Zelenskyy.

Kancelari gjerman, Scholz bëri thirrje për më shumë ndihma ushtarake dhe forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës. Ndërkohë, u përurua fabrika e parë e përbashkët mes Ukrainës dhe Gjermanisë për riparimin, mirëmbajtje dhe prodhimin e tankeve. Ai siguroi se e ardhmja e Ukrainës është në Bashkimin Evropian.

“Ne po e marrim këtë rrugë me ju, për rindërtimin e një Ukrainë të fortë, të lirë, evropiane. Forca dhe vendosmëria, këto janë parakushtet që Putin të njohë. Nuk do të ketë fitore ushtarake dhe paqe. Ai duhet t’i japë fund fushatës brutale dhe të tërheqë trupat”, u shpreh Schloz.

Në Konferencën dyditore marrin pjesë rreth 2000 përfaqësues nga politika, biznesi dhe organizatat ndërkombëtare. 60 shtete janë të përfaqësuara në takimin e Berlinit./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button