Federata italiane merr masa urgjente, formon “Këshillin e të mençurve”

Zhgënjimi dhe eliminimi i Italisë nga “Euro 2024” ka detyruar Federatën Italiane të Futbollit të marrë masa urgjente për të dalë nga kriza. Një ekip pa ide, pa lojtarë dhe ndoshta pa të ardhme,m që rrezikon për të tretën herë resht kualifikimin në një Botëror.
Për këtë arsye, FIGC (Federata Italiane e Futbollit) synon krijimin e një “Këshilli të mençurve”, për të nxitur marrëdhëniet midis ekipit kombëtar dhe klubeve. Një ndër objektivat kryesore do të jetë ai i vlerësimit të talenteve italiane për të zgjeruar rrethin e lojtarëve që mund të hyjnë në ekipin kombëtar.
Ky është hapi i parë i ndërmarrë nga FIGC pas eliminimit të Italisë së trajnerit Luçiano Spalletti nga “Euro 2024” në fazën e 1/8-ave ndaj Zvicrës. Ky këshill fillimisht do të përbëhet nga katër drejtues, por dëshira është që të zgjerohet shpejt me të tjerë prfaqësues.
Ata janë Xhiuzepe Marota (Inter), Kristiano Xhiuntoli (Juventus), Umberto Marino (Atalanta) dhe Xhiovani Sartori (Bolonja).
“Ne kemi filluar tashmë të identifikojmë teknikë me përvojë të lartë që punojnë në klubet e Serisë A për të ngritur një trup këshillues për presidentin federal dhe për të identifikuar një strategji për fëmijët dhe të rinjtë“, tha presidenti i FIGC, Gabriele Gravina.