Disa ilaçe për diabetikët nuk janë në listën e re
Disa ilaçe për diabetikët nuk janë në listën e re

Gazetare: Ajnur Bafqari
Disa ilaçe dhe pajisje të tjera ndihmëse që tashmë një kohë të gjatë personat me diabet po kërkojnë që të përfshihen në listën pozitive të barnave nuk janë paraparë në listën e re që pritet të zgjerohet së shpejti, shkruan Alsat.
Nga Ministria e Shëndetësisë njoftuan se komisioni ka dorëzuar propozimin dhe në të parashihen 9 medikamente.
“Nga komisioni për listën pozitive të barnave në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore është dorëzuar propozim për përcaktimin e barnave të reja në listën primare të barnave. Bëhet fjalë për nëntë medikamente gjenerike që janë në përdorim dhe janë në treg prej kohësh dhe janë të destinuara për trajtimin e hipertensionit, insuficiencës kardiake, parandalimin e aterotrombozës, sëmundjes Alzheimer, depresionit dhe çrregullimeve të ankthit”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Sllobodanka Kamçeva, një paciente që vuan nga diabeti tashmë 55 vite thotë se terapia dhe pajisjet për trajtimin e diabetit janë shumë të shtrenjta dhe shumicën detyrohen ta sigurojnë privatisht.
“U inatosa se e ndanë në mënyrë të padrejtë, tipi një është tipi 1, a jeni ju viti i parë apo në vitin e 55-të, të gjithë jemi të rrezikuar. Fëmijët po, duhet patjetër t’i kenë, megjithatë edhe ne të moshuarit që jetojmë vetë, por edhe të punësuarit që të jenë efikas, sëmundja është e vështirë dhe e mundimshme”, u shpreh Sllobodanka Kamçeva, paciente me diabet.
Sipas procedurës vendimin përfundimtar për listën pozitive, varësisht nga mjetet në dispozicion, e merr bordi drejtues i Fondit Shëndetësor. Ministri i ri i Shëndetësisë, Arben Taravari, ditë më parë tha se lista pozitive e barnave tashmë 15 vite nuk është përshtatur kundrejt kërkesave të pacientëve.
Ai paralajmëroi listë të re brenda dy javësh, pas emërimit të drejtorit të ri të Fondit. / Alsat.mk