Presidenti i sapozgjedhur i Iranit deklaroi se është i gatshëm për një “dialog konstruktiv” me BE-në

Masoud Pezeshkian thotë se është gati për "dialog konstruktiv" me vendet e BE.

Në një artikull sot në të përditshmen iraniane në gjuhën angleze Tehran Times, Pezeshkian, i cili u zgjodh në fillim të korrikut, përvijoi politikën e jashtme që ai synon të ndjekë.

Mezi pres të angazhohemi në dialog konstruktiv me vendet evropiane për t’i vendosur marrëdhëniet tona në rrugën e duhur”, ka shkruar ai.

Gjatë fushatës elektorale, Pezeshkian premtoi se do të “nxjerrë Iranin nga izolimi” duke vendosur “marrëdhënie konstruktive” me botën, veçanërisht me vendet e BE-së.

Presidenti i zgjedhur ka kritikuar tërheqjen e SHBA në 2018 nga marrëveshja ndërkombëtare për çështjet bërthamore të Iranit, e arritur tre vjet më parë, e cila synonte të kufizonte aktivitetin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit nga sanksionet.

Uashingtoni më pas rivendosi sanksionet ndaj Republikës Islamike.

“SHBA duhet të njohë realitetin dhe të kuptojë, një herë e mirë, se Irani nuk po i përgjigjet presionit dhe nuk do të përgjigjet,” shtoi Pezeshkian.

Ai e quajti Rusinë një “aleat strategjik të vlefshëm” dhe tha se ishte i gatshëm të “bashkëpunonte më tej” me Kinën.

Pezeshkian u bëri thirrje fqinjëve – Turqisë, Arabisë Saudite, Omanit, Irakut, Bahreinit, Katarit, Kuvajtit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe që të “forcojnë marrëdhëniet tregtare” me Iranin dhe të bashkëpunojnë në rajon.

Zgjedhjet presidenciale të 5 korrikut në Iran janë ndjekur nga afër në mbarë botën, sepse Irani është në qendër të disa krizave gjeopolitike – nga lufta në Gaza, te çështja bërthamore dhe sepse kundërshton Perëndimin.

Pezeshkian, i cili do të betohet në fund të korrikut për të filluar një mandat katërvjeçar, pason Ebrahim Raisin, i cili vdiq në një përplasje helikopteri në maj.

LEXO EDHE:

Back to top button