43 gradë, puntorët ndërtimor vazhdojnë punën edhe pas orës 11
43 gradë, puntorët ndërtimor vazhdojnë punën edhe pas orës 11

Gazetare: Ajnur Bafqari
Temperaturat maksimale, sot dhe në dy ditët në vazhdim do të shkojnë deri në 43 gradë celsius. Madje, nuk do të ketë asnjë qytet të vendit, me temperatura nën 30 gradë, shkruan Alsat.
Pavarësisht se kjo gjendje do të vazhdojë deri të dielën, për momemtin, faza portokalli e shpallur paraprakisht do të vazhdojë deri të enjten dhe në fuqi mbeten masat e Qeverisë të marra në seancën urgjente të së enjtes së javës së kaluar.
Por, jo të gjithë i respektojnë këto masa dhe rekomandime.
Disa punonjës ndërtimorë që Alsat i ndeshi në terren, po kryenin punime edhe pas orës 11:00, ndërkohë që në këtë periudhë sipas rekomandimeve të Qeverisë ndalohen punimet në ambient të hapur.
Të paktë janë edhe qytetarët që respektojnë rekomandimet e Qeverisë apo të Institutit të Shëndetit Publik për mbrojtje nga i nxehti.
Janë të rrallë ata që mbajnë çadra apo kapela, ndërsa i vogël është gjithashtu edhe numri i atyre që përdorin krem për mbrojtje nga dielli.
“Masa që respektohet më së shumti është shmangia direkte e rrezeve të diellit. Qytetarët që vendosin të dalin, zgjedhin të qëndrojnë apo të lëvizin nëpër hapësira nën hije”, raporton gazetarja e Alsat, Ajnur Bafqari.
Qytetarët e anketuar nga Alsat thonë se me vështirësi po përballojnë të nxehtin.
“Nuk përballemi, vuajmë…Shikoj që më së shumti të rri në hije…Shoh që të shkoj në shtëpi në atë kohë, por meqë jam disi më së larti, është nënkulm dhe është nxehtë….
A përdorni kremë SPF kundër diellit?
Jo”, tha një qytetar.
“Si përballeni me temperaturat e larta?
Shumë vështirë.
-Përveç kapelës a keni vendosur edhe kremën SPF?
Sot jo, harrova, isha me nxitim”, u shpreh një qytetare tjetër.
“Punojmë në rrugë… Është vështirë, shumë nxehtë.
– A përdorni kremën kundër diellit?
-Jo. Asgjë, as kapelë”, tha një punëtor.
“Në asnjë mënyrë, rrijmë në shtëpi, nuk ka dalje… Dalim vetëm për në market dhe nuk dalim për gjëra koti…Jo, jo asgjë, çfarë është natyrore prej Zotit, ajo, neve nuk na nevojiten kremërat”, tha një qytetar.
“Mirë është, për mua këto temperatura janë super…”, u shpreh një qytetar tjetër.
Temperaturat e larta do të vazhdojnë deri në fund të javës.
Të premten dhe gjatë fundjavës në orët e pasdites, do të ketë rreshje lokale me bubullima dhe erë të fortë ndërsa nga e hëna, temperaturat pritet të bien deri në 35 gradë celcius./ Alsat.mk