Nuk ka veprime për numrin e maqedonasve në Shqipëri, organizatat planifikojnë regjistrim joformal
Nuk ka veprime për numrin e maqedonasve në Shqipëri, organizatat planifikojnë regjistrim joformal

Gazetare: Fatlume Dervishi
Institucionet në vend nuk shpallin akoma cili do të jetë reagimi dhe veprimi zyrtar i tyre për regjistrimin në Shqipëri i cili nuk ishte i kënaqshëm sa i takon numrit të pakicës maqedonase. Nuk dihet madje nëse planifikojnë të ndërmarrin diçka, ose jo. Alsat drejtoi pyetje në Ministrinë për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme. Nga atje nuk morëm përgjigje.
Deri tani, në prononcimet publike zyrtarët e vendit nuk kanë fajësuar metodologjinë e regjistrimit në Shqipëri por kanë drejtuar përgjegjësinë te propaganda asimiluese e Bullgarisë dhe mosinteresimi i qeverisë së kaluar LSDM-BDI. Ndërkohë, organizatat maqedonase në Shqipëri tashmë kanë njoftuar se forcojnë bashkëpunimin për ruajtjen e identitetit. Njëra prej tyre është partia Aleanca Maqedonase për Integrim Evropian. Në emër të kësaj partie dhe të Shoqërisë “Prespa”, ish kreu i Pustecit, Edmond Temellko, njoftoi një ditë më parë një regjistrim joformal të posaçëm të maqedonasve në Shqipëri.
“Më lejoni të përsëris se me shpalljen bëjmë thirrje për pajtim dhe bashkim mbarë-maqedonas për të mbrojtur identitetin e popullit maqedonas – emrin, gjuhën, kulturën, historinë dhe territorin, sepse të bashkuar dhe unikë jemi më të fortë se agresioni dhe tentativa e të gjithëve për shkombëtarizim dhe asimilim”, deklaroi Edmond Temellko, Aleanca Maqedonase për Integrim Evropian.
Në regjistrimin e vitit të kaluar në Shqipëri, rezultatet e të cilit dolën javë më parë, për herë të parë u regjistruan qytetarë bullgarë. Gjegjësisht, sipas regjistrimit, në Shqipëri jetojnë 2.281 maqedonas, ndërsa bullgarë janë deklaruar 7.957 persona. Në 11 regjistrimet e kaluara, nuk ka pasur asnjë qytetar që është deklaruar bullgar. /Alsat.mk