Musliu: Grupi terrorist serb po kryen ushtrime në rrethinë të Novi Pazarit, Kopaonikut e Kralevës
Musliu: Grupi terrorist serb po kryen ushtrime në rrethinë të Novi Pazarit, Kopaonikut e Kralevës

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu deklaroi se kërcënimi nga Serbia vlerësohet si shumë i lartë. Pas raportimit të drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti, ajo shtoi se grupi terrorist serb është duke kryer ushtrime në rrethinën Novi Pazar, Kopaonik e Kralevë me mbështetje të Beogradit zyrtar. Po ashtu, Musliu theksoi se ky grup i udhëhequr nga Milan Radojiçiq në vazhdimësi planifikon e diskuton mundësitë për sulme.
Pas raportimit të drejtorit të AKI-së, deputetja e PDK-së tha se autoritetet në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë janë duke kryer punën e tyre dhe nuk ka vend për shqetësim.
“Mund të themi ose të konstatojmë pas këtij takimi se gjendja e përgjithshme e sigurisë në Republikën e Kosovës në përgjithësi është stabile. Situata në katër komunat në veri është e qëndrueshme edhe pse ndërhyrjet dhe përpjekjet e Serbisë për tensionim të situatës së sigurisë janë të vazhdueshme. Kërcënimi nga Serbia dhe organizatat paramilitare dhe terroriste, anëtarët e së cilave po trajnohen dhe strehohen në Serbi, vlerësohet si shumë i lartë. Bazuar në të dhënat inteligjente, së fundmi grupi terrorist është duke kryer ushtrime në disa lokacione në rrethinën e Novi Pazarit, Kopaonikut dhe Kralevës. Grupi paramilitar dhe terrorist i udhëhequr nga Milan Radojiçoq vazhdon të jetë i strukturuar, ka mjete të mjaftueshme financiare, ka armë me mbështetje të Beogradit zyrtar”, tha Musliu.
Në konferencë për media ajo theksoi shërbimet sekrete serbe vijojnë të kenë qëllim cenimin e sigurisë së Kosovës, për çka shtoi se janë rritur edhe aktivitetet hibride që synojnë polarizimin e shoqërisë dhe përhapjen e lajmeve të rreme.
“Në vazhdimësi janë duke planifikuar, diskutuar mundësitë për sulme. Udhëheqësi i grupit Milan Radojiçiq vazhdon bashkëpunimin e afërt me strukturat e sigurisë së Serbisë, me zyrtarët e lartë shtetëror si dhe është duke mbajtur kontakte me disa grupe, organizata radikale dhe kriminale me shtrirje rajonale. Ushtria serbe ka rritur praninë e patrullave dhe droneve në zonën përreth kufirit me veriun e Kosovës, sidomos nga Zubin Potoku deri në Leposaviqin. Rritja e kapaciteteve ushtarake të Serbisë, përqendrimi i forcave serbe afër kufirit me Kosovën si dhe stërvitjet ushtarake të anëtarëve të formacioneve terroriste, janë tregues se Serbia vazhdon të ketë synime agresive ndaj Kosovës”, shtoi Musliu.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës tha se avancimi i projektit nacionalist serb “Bota Serbe”, vlerësohet se do të ketë ndikim në sigurinë rajonale.
Ajo nuk komentoi deklaratat e përfaqësuesve shtetërorë lidhur me sigurinë në vend, veçse tha se në mbledhjen e komisionit është interesuar nëse autoritetet kanë marrë mësimet nga rasti i Banjskës./Kosovapress