Si po mbrohen qytetarët nga temperaturat e larta?
Si po mbrohen qytetarët nga temperaturat e larta?

Gazetar: Avni Tahiri
Më shishe ujë në duar, me kapela në kokë, freskuese në dorë por edhe me çadra mbi kokë. Këto ishin disa nga pamjet e qytetarëve të cilët tentonin të mbrohen nga temperaturat e larta që kalojnë mbi 40 gradë celsius, shkruan Alsat.
Qytetarët thonë se është shumë e vështirë që të përballën temperaturat e larta, por mundohen që sa më herët të kryejnë obligimet ditore dhe më pas mbyllen në shtëpi deri në orët e mbrëmjes.
“Ja dalë ngadalë po shkojmë në shtëpi, më herët bëhet pazari, shëtitja, dhe më pas nuk ka dalje nga shtëpia? Në asnjë mënyrë, deri në ora 9:00 e mbrëmjes nuk ka shanse”, tha një qytetare.
“Ja po mbaj ujë me vete, mirë që me kujtove. Çfarë duhet të ndërmerret? Çdokush duhet të kujdeset për veten, mjeket zakonisht japin udhëzime se çfarë të ndërmerret por të gjithë që e dinë në çfarë gjendje është trupi i tyre ashtu duhet të sillen. Lëngje, veshje më ngjyra të çelte pambuku, kjo”, u shpreh një qytetare tjetër.
“Jemi me kondicioner por prapë kemi problem, me kondicioner je në punë por kur del jashtë temperatura 43, duhet të mbajmë ujë me vete, ka familje që kanë shtatzëna por nga qeveria thanë që nga mosha 60 vjeçare të mos jenë në punë. Këto që janë në ndërtimtari dhe punojnë privat mund të kenë pasoja apo sulme, unë vete e kisha një sulm para tre javësh, është rrezik”, tha një qytetar..
Sipas parashikimit të Entit Hidrometeorologjik, moti me diell dhe shumë i nxehtë do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me temperaturë maksimale mbi 40 gradë, dhe për këtë arsye faza portokalli do të jetë aktive deri në fundjavë.
Mjekët këshillojnë sidomos fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë të evitojnë daljet pa nevojë në të nxehtë, dhe të përdoren sa më shumë lëngje, veshje të lehta dhe të kenë kujdes edhe me ushqimin.
Nga e premtja dhe në fundjavë, pritet të ketë reshje lokale të rrëmbyeshme, bubullima dhe erë të fortë dhe temperatura do të ulet gradualisht./ Alsat.mk