LVV pret ndryshim të qasjes së BE-së në dialog, opozita skeptike

LVV pret ndryshim të qasjes së BE-së në dialog, opozita skeptike

Vetëvendosja beson se kryediplomatja e re e BE-së Kaja Kallas do të ketë qasje ndryshe ndaj shteteve që shtypin dhe cenojnë demokracinë, siç është Serbia. Deputetja e partisë së Kurtit, njëherësh kryetare e Komisionit parlamentar për politikë të jashtme, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, thotë se Kallas do t’i jap një qasje ndryshe krejt procesit të dialogut

“zonja Kallas duke qenë nga një shtet që është në kufi me Rusinë dhe duke qenë se kanë pasur vazhdimisht probleme të sigurisë atje, besoj se e dinë shumë mirë sa e rëndësishme është ndërtimi i demokracisë dhe paqes në Ballkanin Perëndimor që synojnë t’i bashkohen BE-së. Besoj se Kallas do të ndërtojë një strategji të re në dialog që do të sjelltë rezultate pozitive”, deklaroi Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, deputete e Vetëvendosjes.

Por një gjë të tillë nuk e pret opozita në Kosovë. Deputetja e PDK-së Ariana Musliu-Shoshi thotë se pavarësisht ndryshimeve në strukturat udhëheqëse, qasja e BE-së ndaj Kosovës në dialog do të vazhdojë të jetë e njëjtë. Mendim të njëjtë shpreh edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrija

“Qasja është po ajo e njëjtë… Pavarësisht se kanë ndryshuar strukturat në BE, kemi njerëz të ri në pozita të ndryshme unë nuk shoh se mund të ketë ndryshim të qasjes ndaj Kosovës. Ku shoh se duhet të ketë ndryshim është te qeverinë e Kosovës”, tha Ariana Musliu – Shoshi, Deputete e PDK-së.

“Qasja e dialogut nuk mund të ndryshojë, pasi Kosova dhe kjo qeveri ka marrë obligime pasi ka pranuar marrëveshjen, planin e Ohrit për zbatim të marrëveshjes. Kosova ka marrë obligime karshi faktorit ndërkombëtar”, u shpreh Time Kadrija, deputete e AAK-së.

Ish-kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas pritet të jetë përfaqësuesja e Lartë e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti shpesh herë ka akuzuar kryediplamtin aktual të BE-së, Josep Borrell por edhe ndërmjetësin e BE-së në dialog, Miroslav Lajçak për njëanshmëri në dialog. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button